E BUJSHME/ Liverpooli futet në garë për Kumbullën, Verona i vë çmimin
Gjysma e skuadrave të mëdha në Premier League janë të interesuara për të transferuar Marash Kumbullën. Pas Manchester United, Everton dhe Manchester City, një tjetër skuadër e madhe kërkon shërbimet e mbrojtësit të kombëtares sonë. Liverpooli është gati për të transferuar shkodranin në merkaton e verës. Fakti që kanë në skuadër mbrojtësin më të mirë në botë, Van Dijk, duket se nuk është e mjaftueshme, teksa synojnë që të formojnë një dyshë ëndrrash me Kumbullën.
“Gazzetta dello Sport” raporton se City dhe United prej muajsh janë vënë në ndjekje të 20-vjeçarit, por duhet të përballen me konkurrencën e ashpër të Dortmundin dhe të disa skuadrave italiane. Ekipi gjerman është një nga skuadrat që po pëson më shumë gola këtë sezon në Bundesligë dhe për të riparuar këtë problem, Marash Kumbulla shihet si alternativë numër një në merkaton verore.
Verona vendosi të mos ta transferonte te Napoli, edhe pse këta të fundit ofruan plotë 25 milionë euro. Tashmë për momentin klubi italian kërkon të paktën 30 milionë euro për ta lënë të lirë. Gjithsesi pas ndeshjes fantastike kundër Juventusit, çmimi i tij do të vazhdoj të rritet edhe më shumë.
Fakti që në garë është edhe skuadra më e mirë në Europë, është një motiv i madh krenarie, edhe nëse Marashi vendos të qëndrojë në kampionatin italian. Çmimi i tij është shumëfishuar shumë herë, pasi në fillim të sezonit, kartoni i tij nuk arrinte as një milionë euro, ndërkohë që tashmë është futbollisti më i shtrenjtë shqiptar në qarkullim. /R.Lika-Koha Jone/