E bujshme nga Spanja, Barcelona kërkon Rey Manajn

Rey Manaj përfundon në orbitën e skuadrës së Barcelonës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare  ka patur shumë probleme te Albacete gjatë muajve të fundit, sidomos me trajnerin Ramis i cili për shkak të sjelljes së lojtarit e ka dërguar edhe në tribunë në ndeshje të caktuara dhe kjo është një nga arsyet kryesore që Manaj po mendon largimin.

Së fundmi në skenë ka dalë Barcelona që e kërkon 22-vjeçarin për skuadrën B që militon në Kategorinë e 3-të të futbollit spanjoll. Nëse Manaj e pranon transferimin ai do të bënte një hap pas në karrierë duke zbritur një kategori më poshtë, por duke u aktivizuar te Barcelona B dhe duke shënuar rregullisht, shqiptarit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen për të luajtur edhe me skuadrën e parë të Barçës, diçka të cilën Manaj e ëndërron.

Në fakt deri tani lushnjari ka luajtur për një skuadër të madhe pasi është aktivizuar me Interin në Serie A kur ishte vetëm 18 vjeç.  Sipas mediave spanjolle, Barcelona është gati të ofrojë 5 milionë euro për kartonin e sulmuesit shqiptar, për të cilin Albacete pagoi rreth 2 milionë euro për ta blerë nga Interi. Manaj i cili është një titullar fiks në formacionin e Edy Rejas te kombëtarja shqiptare, në këtë sezon me Albaceten është aktivizuar në 9 takime në Segunda Division teksa ka arritur të realizojë edhe dy gola.

Swiss Digital Desktop Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?