E bujshme/ Premier League mund të mbyllë sezonin në Australi
Premier League ka marrë një ofertë, që mund të shërbejë si një plan B për të mbyllur sezonin në qytetin “me diell” Perth. Drejtuesit e ekipeve angleze janë duke menduar për mënyrën se si do të luhen 92 ndeshjet e mbetura, teksa deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje pozitive nga qeveria Johnson.
Pika e kthesës mund të vijë nga Australia, ku Premier League ndiqet shumë. Sipas raportimeve nga “The Sun, një senator Australian do të ishte i gatshëm të përqafonte idenë e agjentit anglez Gary Williams për të luajtur në Australi. Ai mund të vendosë kontakte me qeverinë australiane dhe Ministrinë e Sportit për të marrë mbështetjen e tyre për këtë ide interesante.
“Ne udhëtojmë nëpër botë për periudhën parasezonale. Kjo nuk do të ishte ndryshe. Moti në Australi është ideal tani”, deklaroi një drejtues i një ekipi anglez për “The Sun”, por preferoi të mbetet anonim. Në Australi deri më tani ka 93 vdekje nga Covid-19, krejt ndryshe nga 28 mijë që shkon numri në Britaninë e Madhe. /R.Lika-Koha Jone/