E BUJSHME/ PSG nis tratativat për transferimin e yllit të Juventusit
Aventura e Cristiano Ronaldos te Juventusi, mund të mbyllet që këtë verë. Sulmuesi portugez erdhi në Torino për të ndihmuar bardhezinjtë që të fitojnë trofeun me “me veshë të mëdhenj”, por deri më tani nuk ka mundur që ta realizojë këtë objektiv. CR7 nuk e ka fshehur zhgënjimin në përfundim të ndeshjes me Lyonin, ku shënoi dy herë në fitoren 2-1, që gjithsesi nuk mjaftoi për të çuar bardhezinjtë në çerekfinale, ndërsa tani Ronaldo është nisur me pushime, por paralajmëroi se do të marrë vendimet e duhura për të ardhmen.
Mediat franceze kanë raportuar për kontakte mes drejtuesit të Paris Saint Germain, Leonardo dhe menaxherit të portugezit, Jorge Mendes, të cilët kanë folur paraprakisht për transferimin e CR7-ës në “Parkun e Princave”. Bëhet fjalë vetëm për një sondazh paraprak, ndërsa vlen të theksohet se të dy kanë vendosur që të diskutojnë më gjatë në Lisbonë, ku Leonardo do të shoqërojë skuadrën franceze për ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Ronaldo u kishte vënë kusht drejtuesve që të largojnë Sarrin dhe ata ia plotësuan dëshirën, duke pushuar nga puna trajnerin menjëherë pas ndeshjes me Lyon-in, ndaj pritet me mjaft interes se çfarë vendimi do të marrë portugezi tani. Kujtojmë që Ronaldo u transferua në Torino dy vite më parë për një shifër prej rreth 100 milionë eurosh dhe ka nënshkruar për 4 sezone me Juventusin, me kontratën që skadon vetëm në verën e 2022-shit.