E kërkon gjysma e Europës, Verona cakton çmimin e Kumbullës
Drejtori sportiv i Hellas Verona, Tony D’Amico, foli për mikrofonat e “Sky Sport” për ndikimin e Koronavirusit në merkaton e futbollistëve. Edhe pse pandemia i kushtëzon klubet në ofertat e tyre, sipas tij Verona nuk do t’i shesë “xhevahirët” e saj nëse nuk vjen oferta e duhur.
“Pas Covid-19 të gjitha skuadrat do të kenë probleme me buxhetin, duke nisur nga më të mëdhatë e Europës. Një klub si Verona nuk mund t’ia lejojë vetes që të bjerë viktimë e ofertave të ulëta. As që e çojmë nëpër mendje, jemi të fokusuar për rinisjen e kampionatit. Të mbarojmë sezonin, më pas të mendojmë për merkaton.
Kumbulla? Është i fortë, e vlerësojmë më shumë se 25 milionë euro. Ka zhvilluar një kampionat të mrekullueshëm dhe i janë vënë pas klubet e mëdha në Europë. Do të ketë shumë kërkesa, edhe tani po ndodh. Gjithsesi është herët për të folur me shifra konkrete. Nuk është e thënë që do të shitet medoemos, ka shumë kohë në dispozicion, pasi është i ri. E bukura është që vjen nga të rinjtë, e gjitha është meritë e presidentit Setti.”