E KRYER/ As Juve dhe as Inter, Granit Xhaka transferohet në Premier League
Sipas raportimeve nga Sky Sports UK, Sunderland ka arritur një marrëveshje përfundimtare me Bayer Leverkusen për transferimin e Granit Xhakës, duke hapur rrugën për rikthimin e mesfushorit zviceran në Premier League pas një aventure të suksesshme në Bundesliga.
Marrëveshja është mbyllur mbi bazën e 13 milionë paundëve fikse plus 4 milionë në formë bonusesh, për një total që mund të arrijë deri në 17 milionë paundë. Të gjitha kushtet personale mes klubit dhe lojtarit ishin arritur që javën e kaluar, dhe Xhaka është gati të firmosë një kontratë 3-vjeçare me klubin anglez.
Lindur në vitin 1992, Xhaka pritet të sjell eksperiencë në një skuadër të re dhe ambicioze. Me mbi 300 ndeshje të zhvilluara në Premier League gjatë periudhës me Arsenalin, si dhe me një rol kyç në përfaqësuesen e Zvicrës, 32-vjeçari shihet si një përforcim i rëndësishëm për projektin teknik të Sunderland-it.
Klubi anglez, i sapongjitur në elitën e futbollit anglez, ishte i vendosur të mbyllte këtë operacion dhe rriti ofertën e përgjithshme me 7 milionë paund për të bindur Leverkusenin të lejonte largimin e mesfushorit.
Tashmë, Xhaka ka marrë dritën jeshile për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku në orët në vijim do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore, përpara se të zyrtarizojë kalimin te “Black Cats”. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

