“E mbylla ndeshjen para kohe sepse më tha Zoti, ndryshe do isha kthyer me arkivol në shtëpi”
Arbitri nga Zambia, i cili u bë i famshëm në Kupën e Afrikës për shkak se i dha fund dy herë para kohe ndeshjes Tunizi-Mali, ka shpjeguar për herë të parë situatën e pazakontë që i ndodhi.
“Ishte shumë vapë atë ditë dhe lagështia ishte gati 85%. Kushtet e vështira atmosferike i ndjeva që kur bëra nxemjen para ndeshjes. Edhe kur piva ujë, m’u duk sikur nuk kisha pirë fare. Por, ndeshja duhej të luhej dhe ne (arbitrat) e bëmë detyrën.
Në pushimin e saj ishim shumë të lodhur dhe kur hymë në fushë për pjesën e dytë, ndiheshim sikur nuk kishim pushuar fare. Nuk mundesha të dëgjoja fare lojtarët në fushë. Më flisnin, por nuk i merrja vesh. Ditën pasardhëse kam shkuar në spital për të bërë të gjitha kontrollet e nevojshme.
Mund të isha kthyer në shtëpi me arkivol. Kam shpëtuar për pak. Njerëzit kanë folur shumë keq për mua, për mënyrën se si e menaxhova ndeshjen. Edhe aparati i komunikimit ishte i nxehtë, doja ta hidhja fare. Mendoj se Zoti më tha ta mbyllja ndeshjen”, u shpreh Janny Sikazwe.
KOHA JONË SONDAZH

