E mori të parafundit dhe e çoi Dinamon në krye, a ka ardhur koha t’i besojmë Ilir Dajës Kombëtaren?

Dinamo e ka mbyllur gjysmën e kampionatit në krye të renditjes, për herë të parë që nga viti 2009. Në 15 javët në drejtimin e skuadrës, trajneri Ilir Daja ka marrë më tepër pikë se kushdo tjetër. Blutë fituan derbin e parë të këtij sezoni, 2-1 kundër Tiranës, pasi kishte barazuar në fazën e parë pa gola kundër bardhebluve dhe kishte arritur një humbje e një barazim kundër Partizanit.
Tri pikët e së shtunës, shoqëruar me humbjen e Egnatias dhe barazimin e Partizanit e kanë ngjitur Dinamon në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Vllazninë. Blutë që e shohin veten si kryesues në dhjetor për herë të parë që nga viti 2009, në sezonin e titullit të fundit kampion!
Daja e ka drejtuar skuadrën në 15 ndeshje, gjatë të cilave ka arritur 7 fitore, 7 barazime dhe vetëm një humbje, duke grumbulluar 28 pikë. Gjatë 15 javëve që Daja ka qenë në krye të Dinamos, askush nuk ka grumbulluar më tepër pikë se ai.
Java e ardhshme do të jetë një provë zjarri për Dajën, takimi kundër Egnatias, kampione në fuqi. 18 herë kampionët e vendit tanimë duket se e kanë gjetur “timonierin” e duhur. Pyetja në këtë rast që shumë tifozë apo specialistë e bëjnë, a ka ardhur koha që Ilir Dajës t’i besojmë edhe Kombëtaren?
KOHA JONË SONDAZH

