E pabesueshme në Brazil, dënohet me 17 vite burg sepse vodhi topin e nënshkruar nga Neymar
Në Brazil, një ngjarje tronditëse ndodhi më 8 janar 2023, kur një turmë mbështetësish të ish-presidentit Jair Bolsonaro sulmuan institucionet kryesore të shtetit në kryeqytetin Brasília, duke tentuar përmbysjen e dhunshme të presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Luiz Inácio Lula da Silva.
Mes pjesëmarrësve në këtë sulm ishte edhe Nelson Ribeiro Fonseca Junior, atëherë 35 vjeç, i cili përveç pjesëmarrjes në aktet e dhunshme, përfitoi nga rrëmuja për të vjedhur një top futbolli të ekspozuar në Parlament, të firmosur nga ylli brazilian Neymar.
Fonseca u identifikua nga kamerat e sigurisë dhe më vonë e dorëzoi topin, duke pretenduar se e kishte marrë për ta “mbrojtur si një relike të çmuar”. Megjithatë, kjo justifikim nuk bindi gjykatën. Ai u dënua me 17 vite burg, një dënim i rëndë që reflekton jo vetëm rolin e tij në sulm, por edhe aktin e vjedhjes.
Gjykatësi Alexandre de Moraes theksoi rëndësinë e këtij episodi në vendimin e tij: “I pandehuri Nelson Ribeiro Fonseca Junior ka pranuar se ka vjedhur topin, i cili është një objekt unik që bën pjesë në trashëgiminë tonë kombëtare.” /Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

