E thonë statistikat, Kumbulla më i mirë se Varane dhe Van Dijk
Marash Kumbulla po merr shumë shpejt “frytet” e punës fantastike që po bën me Veronën në Seria A. Mbrojtësi i kombëtares sonë po spikat javë pas jave pavarësisht kundërshtarëve që ka përballë. 19-vjeçari është një nga futbollistët më të kërkuar në tregun Europian të merkatos, teksa ka zgjuar interesin e shumë klubeve prestigjioze, të cilat kërkojnë të sigurojnë shërbimet e Kumbullës.
Ai nuk ka mbetur as larg vëmendjes së faqes më të njohur të vlerësimeve sportive “CIES FOOTBALL OBSERVATORY”, që merret me analizën e futbollit botëror.
Në statistikat e publikuara për lojtarët më të mirë të muajit janar, Kumbulla renditet në vendin e 5-të, duke lënë pas lojtarë si Rafael Varane dhe Virgil Van Dijk. Një arritje e madhe për mbrojtësin shkodran, i cili me shumë mundësi do të jetë pjesë e një skuadre të madhe europiane sezonin e ardhshëm.