Edicioni 8 i BALFIN Volley/ Si organizohet një kampionat në sektorin privat? Flasin protagonistët

BALFIN Volley, një kampionat i mirëfilltë volejbolli, është tashmë një traditë e Grupit BALFIN, konglomeratit të bizneseve me shtrirje në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, Holandë dhe Austri. Edicioni i tetë i kësaj veprimtarie gjithëpërfshirëse sapo ka ngritur siparin. I vetmi vit që nga themelimi kur u detyrua të ndalej, ishte viti i vjetshëm, për shkak të pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga organet shtetërore.

Në edicionin e këtij viti, marrin pjesë plot 12 skuadra dhe 179 lojtarë, të ndarë në dy grupe, nga ku në fund të aktivitetit do të shpallet një ekip fitues. Risia e sivjetme është se dy finalistet, do të ndeshen më tej me ekipet fitues të BALFIN Volley në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, për të kurorëzuar për herë të parë në Tiranë dhe një ekip fitues të BALFIN Volley International.

Synimi i kësaj veprimtarie ka qenë qysh nga fillimi të forcojë shpirtin e skuadrës brenda kompanive, të socializojë punonjësit dhe t’i vendosë ata në situata bashkëpunimi dhe solidariteti reciprok. Patjetër edhe Fair-Play e sidomos partneriteti, si një ndër vlerat themelorë të BALFIN, kanë qenë gjithnjë në qendër të kampionatit të volejbollit.

Ndoshta është rast unik në Ballkan, që një shoqëri private ta zhvillojë këtë veprimtari. Ashtu si edhe në çdo fushë tjetër të biznesit ku operon, edhe në organizimin e këtij kampionati, Grupi BALFIN i ka kushtuar vëmendjen dhe seriozitetin maksimal. Duke kërkuar standardin më të lartë ka gjetur ndihmën profesionale të shoqatës “Superior Volley” dhe të një emri të njohur në volejboll si Artan Pogoni.

Organizimi

Çdo shoqëri e Grupit BALFIN ka krijuar një ekip të vetin. Kriter për pjesëmarrjen e ekipeve në këtë kampionat, është që gjatë gjithë lojës, në ekip duhet të jenë të aktivizuara edhe dy lojtare femra, për ta bërë aktivitetin gjithëpërfshirës. Ashtu si në aktivitetet profesioniste, numri maksimal i lejuar i të regjistruarve, është 18 lojtarë për ekip. Ekipet për fazën e parë organizohen në Grupe. 2 skuadrat e renditura te parat kualifikohen nga secili grup. Turi gjysmëfinal dhe finalja zhvillohen me sistemin play-off. Gjatë fazës në grupe ekipet ndeshen të gjitha nga një herë me njëra-tjetrën dhe në bazë të pikëve të grumbulluara përcaktohet edhe renditja në grupe. Këtë vit organizimi i kampionatit do t’i përmbahet të gjitha masave anti-covid që ndjekin edhe kampionatet profesioniste të sporteve me dorë në Shqipëri. Për më tepër në çdo ndeshje do të ketë edhe staf mjekësor.

Rivaliteti

Vitet e fundit, rivalët më të hekurt të kampionatit kanë qenë Neptun dhe ACREM (kompania që menaxhon qendrat tregtare TEG, QTU dhe subjekte të tjera). Dy kapitenët e këtyre skuadrave, Blendi Dashi dhe Artan Picari, rrëfejnë emocionet në prag të nisjes së kampionatit.

E nisim me kampionët në fuqi të ACREM.

Artan Picari, kapiteni i skuadrës dhe zv. Menaxheri i Sigurisë i ACREM, tregon se si ka qenë rrugëtimi shtatë vjeçar për ekipin e tij, deri në shpalljen kampion.

“E filluam çuditshëm, me skepticizmin se si mund të luajmë volejboll, pasi asnjë nga stafi nuk kishte luajtur më parë me organizim, rregulla të përcaktuara, arbitër, por me dëshirën për të bërë diçka. Në dy vitet e para nuk kemi arritur të dalim nga grupi, por vullneti nuk na u zbeh për të kapur objektivin, derisa në 2014 kaluam grupin e duke u ndeshur gjithmonë në gjysmë finale. Në 2016 kemi arritur në finalen e parë kundër Neptun. Më pas, në vitin 2018 përsëri në finale me Neptun, e duke u kurorëzuar vetëm në vitin 2019 si kampionë në një ndeshje dhe atmosfere elektrizuese. Këtë vit kemi kuptuar se qenka shume e vështirë të jesh kampion, pasi s’ke objektiv tjetër veçse të mbrosh titullin.

Ky aktivitet ka qenë shumë i rëndësishëm gjithmonë pasi forcon disiplinën dhe frymën e grupit. Sidomos pas kësaj pandemie dhe dy vite pritje merr akoma më shumë adrenaline. Por siç mund të citoj dhe një thënie që më motivoi shumë vitin kur dolëm kampion: E pamundura është fjalë për njerëz pa forcë për të ndryshuar fatin e tyre. Kur thua e pamundur nuk po thua të vërteten, nuk po mendon, nuk po zotohesh. Asgjë nuk është e pamundur!’.”

Midis Neptun dhe ACREM ndër vite është krijuar një rivalitet sportiv pasi janë dy ekipet që janë ndeshur më shumë në finale. Për këtë arsye shpesh ndeshjet mes tyre janë etiketuar edhe si “derbi i kampionatit”. Atmosfera e “derbit” ndihet edhe në Neptun, ku nuk mungon të hidhet edhe dorashka e sfidës nga kapiteni i kësaj skuadre, Blendi Dashi, njëherësh edhe menaxheri i shitjeve me shumicë dhe franchise.

“Tashmë është krijuar një traditë shumë e bukur, BALFIN Volley është në vitin e tetë dhe do të vazhdojë. Është një garë ndryshe midis kompanive të grupit. Ky aktivitet na ndihmon të njohim dhe të krijojmë një frymë bashkëpunimi me të gjithë pjesëtarët, gjë të cilën e pasqyrojmë më vonë edhe gjatë proceseve të punës. Në 7 kampionate të zhvilluara, skuadra e Neptunit ka dalë 5 here në vend të parë dhe ka ngritur kupën. Ashtu si dhe kompania lider në treg që përfaqësojmë, objektivi është të jemi të parët. Neptun-i e ka fituar atë pozicion duke pasur ambicie por njëkohësisht edhe entuziazëm dhe skuadra e volejbollit do përfaqësojë po të njëjtat vlera. Kemi një detyrë të rëndësishme, të rikthejmë kupën në shtëpi, për këtë duhet të punojmë fort dhe të tregojmë se kush jemi. Për kundërshtarët kam vetëm një fjalë: get ready! ;)”. Edhe organizatorët e turneut flasin me superlativa për kampionatin.

Sokol Kondi, menaxheri i Marrëdhënieve me Publikun dhe Eventeve në Grupin BALFIN pohon: “Konkurrenca, grinta, serioziteti dhe pasioni me të cilin e marrin skuadrat këtë kampionat, ka qenë befasues kur e kam ndeshur për herë të parë. Ishte e paimagjinueshme që mund të kishte një agonizëm sportiv të tillë edhe në nivele jo profesionale. Por ajo që ka edhe më rëndësi, është që në fund të turneut jo vetëm që të gjithë bëhen edhe më miq të mirë se ç’ishin, por madje e festojnë së bashku mbylljen e kampionatit. Kështu do të jetë edhe sivjet, një festë e organizuar deri në detajin më minimal për të gjithë, por duke respektuar rregullat shëndetësore”.

Artan Pogoni, doktor i shkencave sportive, pedagog dhe trajner kampion prej vitesh në volejbollin shqiptar, një ndër bashkëpunëtorët e BALFIN në organizimin e këtij kampionati, mund ta thotë edhe me më tepër siguri: “BALFIN Volley ka ardhur si një risi në zhvillimin e aktiviteteve sportive rekreative në realitetin shqiptar, por tashmë edhe ndërkombëtar. Me një traditë prej 8 vitesh, ky aktivitet ka sjellë çdo vit e më shumë kënaqësinë e kompeticionit sportiv në Grupin BALFIN, me qëllimin e krijimit të kushteve të punonjësve të këtij grupi për një jetë më aktive, rekreative dhe sociale. Me organizimin perfekt, pjesëmarrjen masive, frymën e bashkëpunimit dhe fair-playt, ky aktivitet mbetet në elitën e këtyre organizimeve në vendin tonë, ashtu siç është edhe vetë Grupi BALFIN. Shumë pak biznese në Shqipëri i kushtojnë vëmendje të tillë punonjësve. Kjo e veçon Grupin BALFIN nga bizneset e tjera pasi ndjek politika shumë stimuluese për punonjësit duke i krijuar hapësira zhvillimi dhe pjesëmarrje përtej punës.”

Ekipet pjesëmarrëse këtë vit janë: Albchrome, BALFIN, Milsped/Stella Mare, BALFIN Real Estate and Hospitality, Mane TCI, Green Coast, On Solutions, ACREM, Elektroservis, SPAR, Neptun, Jumbo.

SHKARKO APP