Egnatia eliminohet me turp nga Champions League, mundet me 5 gola në Islandë
Egnatia ka përjetuar një mbrëmje zhgënjyese në Islandë, duke u mundur me rezultatin e thellë 5-0 nga Breidablik, në ndeshjen e kthimit të turit të parë kualifikues në UEFA Champions League. Edhe pse kishin fituar 1-0 në takimin e parë në Rrogozhinë, kampionët e Shqipërisë nuk ia dolën të ruajnë avantazhin dhe u eliminuan nga gara më prestigjioze për klube në Europë.
Skuadra islandeze nisi furishëm sfidën dhe zhbllokoi rezultatin që në minutën e 15-të me golin e Thorsteinsson. Vetëm pak minuta më pas, Einarsson dyfishoi shifrat, duke vënë në vështirësi serioze ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova. Deri në fundin e pjesës së parë, të dy lojtarët shënuan dopietat e tyre personale, duke e çuar rezultatin në 4-0.
Në pjesën e dytë, Breidablik vazhdoi dominimin dhe shënoi edhe golin e pestë me anë të Omarsson, duke vulosur kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 5-1.
Pas këtij eliminimi, Egnatia do të vazhdojë aventurën europiane në UEFA Conference League, ku do të luajë në turin e dytë kualifikues.
KOHA JONË SONDAZH

