Egnatia fiton me goleadë ndaj Bylisit, Teuta mund Vorën
Java e 12-të e Superiores nisi me emocione dhe gola, teksa dy sfidat hapëse sollën fitore të rëndësishme për Egnatian dhe Teutën.
Egnatia shpërthen ndaj Bylisit me një paraqitje shumë të mirë, duke fituar 5-1 në Rrogozhinë. Kampionët zhbllokuan ndeshjen që në minutën e 5-të falë një autogoli të Kane, i cili vetëm 11 minuta më vonë u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Ndrecës, duke e vështirësuar akoma më shumë ndeshjen për miqtë.
Me Superioritet numerik, vendasit shtuan ritmin dhe në minutën e 25-të Bakayoko dyfishoi shifrat. Pjesa e dytë nisi sërish me gol për Egnatian, këtë herë nga Yahaya në minutën e 49-të. Bakayoko realizoi dopietën e tij nga pika e bardhë në minutën e 62-të, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Muktar shënoi golin e vetëm për Bylisin.
Në fund, Buric vulosi rezultatin 5-1 në minutën e 86-të, duke i dhënë Egnatias një fitore bindëse që e ngjit skuadrën në 22 pikë dhe e pozicionon në vendin e tretë të renditjes. Bylis mbetet i shtati me 12 pikë.
Në Durrës, Teuta mori një triumf minimal por të vlefshëm ndaj Vorës, duke fituar 1-0 falë golit të Blerim Kotobellit në minutën e 68-të. Miqtë menduan se kishin barazuar në fund, por goli u anulua. Me këtë fitore, Teuta shkon në kuotën e 18 pikëve dhe ngjitet në vendin e pestë, ndërsa Vora, që mbetet me 14 pikë, renditet e gjashta.


KOHA JONË SONDAZH

