Egnatia nis sot aventurën në Champions League, sfidon kampionët e Islandës
Pas një sezoni të shkëlqyer në kampionatin shqiptar, Egnatia është gati të shkruajë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj, këtë herë në arenën europiane. Skuadra nga Rrogozhina do të presë sonte kampionët e Islandës, Breidablik, në një përballje të vlefshme për raundin e parë kualifikues të kompeticioneve europiane.
Për herë të parë, qyteti i Rrogozhinës do të mirëpresë një ndeshje zyrtare të një kompeticioni ndërkombëtar ku përfaqësohet nga vetë ekipi i tij. Atmosfera në qytet është elektrizuese, dhe sipas njoftimeve nga klubi, stadiumi “Arena Egnatia” pritet të jetë i mbushur plot me tifozë që do të jenë në mbështetje të skuadrës vendase.
Trajneri Edlir Tetova ka në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve dhe e ka mbyllur përgatitjet pa asnjë mungesë. Nga ana tjetër, kundërshtarët islandezë të Breidablik nuk janë të panjohur në skenën europiane. Trajneri Halldor Arnason, në deklaratat e tij para ndeshjes, ka vlerësuar Egnatian për arritjet e saj, por është shprehur qartë se ekipi i tij ka ardhur në Shqipëri për të fituar.
Përballja mes Egnatia dhe Breidablik do të zhvillohet sonte, duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin e Rrogozhinës.
KOHA JONË SONDAZH

