Ekipet e Superligës nisin stërvitjen më 11 maj, Shulku: S’do të ketë tamponë për futbollistët!
Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, me në krye Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF, Ilir Shulku zhvilluan një takim këtë të shtunë me përfaqësues të Komitetit Teknik të Koronavirusit, ku të pranishme ishin Mira Rakacolli dhe Eugena Tomini.
Mësohet se është diskutuar në lidhje me rifillimin e futbollit në Shqipëri. FSHF ka bërë të ditur se futbollistët do të dalin në stërvitje individuale më 11 maj, të hënën, por ende nuk ka një zyrtarizim nga ana e Komitetit Teknik të koronavirusit.
Pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Ilir Shulku, tha se pothuajse të gjitha klubet i plotësojnë kriteret.
“Pika e parë që kemi diskutuar ishte rikthimi në stërvitje, me klubet që i plotësojnë. Kontrolle me tampon? U ra parimisht dakord që nuk do të ketë tamponë, por do të ketë kontrolle. Data 18 për rinisjen e stërvitjeve mos është shumë e vonuar? Këtë po diskutonim me zv.presidentin, ishte një prej pikave që diskutuam dhe besoj se shumë shpejt do të kemi një përgjigje për këtë pikë”, u shpreh ai.
Ndërsa Zv.presidenti i FSHF, Edvin Libohova, u shpreh se takimi ishte në nivel teknik, ku specialistët e Ministrisë dhe grupi teknik vlerësuan situatën.
“Kanë parë materialet që i kemi dërguar, patëm diskutime për të sqaruar edhe disa çështje të tjera. Me predispozicionin e grupit teknik, në kohë sa më të shpejtë të jepet një përgjigje përfundimtare për masat, protokollin në mënyrë që kampionati dhe loja të rinisin sa më shpejt. Kemi datë konkrete? Jo, ende nuk kemi datë konkrete, sepse grupi është i angazhuar dhe do të punojë edhe gjatë fundjavës, por mund të jetë çështje orësh apo ditësh”, tha Libohova.