Ekskluzive/ Bitri: Më kanë kërkuar në Turqi, ja ku ndryshon Sormani nga Lerda
Eneo Bitri është një nga futbollistët më të spikatur këtë sezon te skuadra e Partizanit. Mbrojtësi beratas ka arritur që të gjejë dy herë rrugën e rrjetës duke i dhënë pikë të rëndësishme. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Koha Jone”, Bitri komentoi zërat për nj transferim të mundshëm në Turqi, ndërkohë që bëri edhe një krahasim mes dy strategëve italianë, Lerda dhe Sormani.
Si ka qenë kjo periudha e izolimit për ju?
Me thënë të drejtën është një periudhë mjaft vështirë për të gjithë jo vetëm për mua. Shpresoj që të kaloj sa më shpejt.
Në ditët e fundit është folur shumë për rifillimin e kampionatit, keni pasur njoftime nga klubi për fillimin e stërvitjeve?
Po, është e vërtet. Jemi në pritje të sinjalizimit nga klubi për të vazhduar stërvitjen normalisht. Për momentin por stërvitemi online.
Këtë sezon keni shënuar dy gola ndaj Vllaznisë dhe Laçit, cilin do të veçoni?
Mendoj se të dy kanë qenë gola vendimtar, por do të veçoja atë kundër Vllaznisë sepse ishte goli i parë me fanellën e kuqe. Shpresoj të shënoj akoma më shumë në të ardhmen.
Mediat turke së fundmi kanë shkruar për një interesim të Menemenspor për ju, si qëndron e vërteta? Keni pasur kontakte konkrete?
Ka pasur thjeshtë një interesim. Unë për momentin jam i fokusuar te Partizani, ku presim fillimin e kampionatit. Për çdo gjë ja kam lënë klubit në dorë që të merret.
Partizani para pezullimit të kampionatit pësoi tri humbje radhazi, cili është objektivi për javët e mbetura?
Objektivat e Partizanit janë dy vendet e para në kampionat. Ne presim fillimin e kampionatit të këtyre ndeshjeve të mbetura dhe të marrim rezultate pozitive për të arritur objektivat e klubit.
Këtë sezon keni pasur dy strateg italianë, Lerda dhe Sormani. Ku ndryshojnë nga njëri-tjetri?
Secili ka mënyrat e tij për stërvitjen dhe përgatitjen. Trajneri Lerda punonte shumë mirë, por Sormani është më ndryshe, pasi punon në çdo aspekt, madje edhe në aspektin psikologjik të futbollistëve.
/Intervistoi Rozalb Lika-Koha Jone/