Ekskluzive/ Herald Marku: Frymëzohem nga Ronaldo, pagat na vonohen gjithmonë …

Herald Marku po kalon një sezon pozitiv në aspektin personal te skuadra e Vllaznisë. Mesfushori 23-vjeçar është aktivizuar në 24 nga 26 ndeshje në total, duke dhënë edhe një asist për shokë e ekipit. Në një intervistë për “Koha Jone”, Marku flet për vështirësitë e periudhës së izolimit, ndërkohë që shpreson që duke u frymëzuar nga përkushtimi i Ronaldos, një ditë të arrijë që të luajë në një kampionat më cilësor se Kategoria Superiore.

Si e keni përjetuar këtë periudhë izolimi nga koronavirusi?

Periudha izolimit ka qenë shumë e vështirë. Nuk jam mësuar me jetë inaktive, ndaj edhe nuk e kam përjetuar mirë. Pavarësisht stërvitjeve të përditshme në kushtet e shtëpisë, nuk është e njëjta gjë si stërvitja në grup me skuadrën.

Keni pasur probleme me pagat te Vllaznia dhe a ju ka kaluar “paga e luftës” nga FSHF?

Probleme të vonesave të pagave sigurisht që po, sepse dihet që gjithmonë këtu te ne vonohen pagat. Nuk është ndonjë gjë problematike, ndërsa sa i përket pagës nga FSHF, ajo na ka kaluar.

Ka hipoteza që sezoni të rifillojë në fund të muajit maj, mendoni se është periudha e duhur?

Jemi mësuar që në të periudhë të marrim pushimet, ndërkohë që këtë herë do të rifillojë kampionati. Nuk është problem, e rëndësishme është që të fillojë dhe çdo ndeshje të zgjidhet në fushë. Mezi presim për rifillimin e kampionatit.

Në të kaluarën keni provuar një eksperiencë në Gjermani, përse vendosët të riktheheni në Superiore?

U ktheva për ta rinisur edhe njëherë sepse në Gjermani nuk më shkoi sipas ideve apo planit që kishim me menaxherin. Mendova se zgjidhja më e mirë ishte rikthimi në Superiore.

Cili është idhulli juaj në futboll dhe ku e shihni të ardhmen?

Ka disa lojtarë që më pëlqejnë, por duke nisur nga përkushtimi dhe puna e madhe, është Ronaldo. Momentalisht presim të rifillojë kampionati dhe më pas të shohim si do të shkojë pas kësaj pandemie. Sigurisht që kam dëshirë që të provoj kampionate më të forta jashtë vendit. Ky është qëllimi im.

E keni nisur karrierën te të rinjtë e Partizanit. Do ju pëlqente një rikthim te “Të Kuqtë”?

Aty jam rritur si futbollist pa harruar dhe një periudhë te Dinamo. Tani jam i fokusuar te Vllaznia, ndërkohë që sa i përket Partizanit të shohim në të ardhmen. /Intervistoi: Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP