EKSKLUZIVE/ Ish-gjyqtari Shpëtim Hala: Jam zyrtarisht kandidati i tretë për në krye të FSHF!
Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë zgjedhjet për presidentin e ri më datën 7 shkurt. Pas kandidimit të Dukës dhe Finos, sot është zbuluar edhe emri i tretë që do të jetë zyrtarisht në këtë garë. Bëhet fjalë për ish-gjyqtarin Shpëtim Hala, emri i të cilit është propozuar nga klubi i Delvinës. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Koha Jonë”, Hala ka folur për kandidimin e tij si dhe ambiciet për të marrë drejtimin e futbollit shqiptar, teksa nuk ka ngurruar që të tregojë edhe programin e tij.
A është e vërtet se ju jeni kandidati i tretë për të garuar për në krye të FSHF dhe kush e propozoi emrin tuaj?
Po është i vërtetë unë jam kandidat zyrtar për president i FSHF. Ka patur shumë dëshira të disa klubeve. Në fund vendosa të pranoj propozimin e Delvinës, sepse unë jam kandidat për president i FSHF dhe jo i një qarku të caktuar.
Ju keni mbështetjen edhe të klubeve të tjera?
Jam i bindur që po. Deri me datë 7 shkurt ka akoma kohë. Gjithçka mund të ndryshojë. Unë jam pjesë e garës për të shkuar deri në fund, cilido të jetë rezultati.
A keni nisur kontaktet edhe me klubet e Kategorisë Superiore? Besoni se do të merrni mbështetjen e tyre?
Kam pasur kontakte me disa përfaqësues klubesh. Mendoj që cilido delegat duhet të vlerësojë platformën dhe jo individin.
Çfarë mendimi keni për dy kandidatët e tjerë, Duken dhe Finon? A keni pasur ndonjë kontakt me ta?
I njoh mediatikisht, jo personalisht. Duka ka bërë një punë të mirë duke çuar Shqipërinë në eliminatoret e “Francë 2016”. Ndërsa Fino ka kontribute në politikë, në futboll ngelet për t’u parë.
A keni ju një program, dhe cilat janë disa pikat kryesore, me të cilat ju do të kërkoni votat më 7 shkurt për t’u zgjedhur në krye të FSHF?
Normalisht që po. Kur mendova të kandidoj kisha një ide në kokë. Dua që futbolli të shtrihet në çdo fshat dhe lagje. Krijimi i kampionateve provincial dhe rajonal do të tërheqin shumë të rinj nga rruga në këtë sport shumë popullor. Thithja e investimeve në infrastrukturën sportive. Jam i mendimit se çdo qendër qarku duhet të ketë një stadium që të plotësojë të paktën kushtet minimale të UEFA-s. Thithja e sa më shumë të rinjve që të jenë pjesë e akademisë arbitrare. /Intervistoi Rozalb Lika/
KOHA JONË SONDAZH

