Ekskluzive/ Qose: Nga nesër nisim stërvitjen në Çeki, ndaj Francës nuk më pëlqeu loja ime
Sfida e fundit me Kombëtaren ishte një makth i vërtet për të, pasi përballë ishin kampionët e Botës së Francës. Po flasim për Kristian Qose-n, “gjigantin” e mesfushës që tashmë është pjesë e klubit Karvina. Në një intervistë për gazetën “Koha Jone”, mesfushori korçar tregon fillimisht situatën në Republikën Çeke.
“Këtu nuk është edhe aq keq situata. Mund të shkojmë ku të duam, por duhet të përdorim maskë në çdo vend. Këto dy javë jemi stërvitur individualisht, por nga nesër do të stërvitemi nga katër futbollistë së bashku me top”, tregon 24-vjeçari.
Në shkurt, ai zgjodhi që të largohej nga Ruzomberok, ndërkohë që zbuloi edhe një prapaskenë nga merkato.
“Te Karvina e kam nisur shumë mirë. U largova nga Ruzomberok sepse nuk doja që të rinovoja kontratën e re. Isha 90 për qind për të nënshkruar me Slovan Bratislavën, por ndodhi një gjë në fund dhe nuk firmosa”.
Aventura e fundit me fanellën e Kombëtares nuk ishte aq pozitive. Ai u aktivizua nga minuta e parë, por hasi shumë vështirësi në mesfushë.
“Ishte një ndeshje ndaj kampionëve të Botës, ishte një eksperiencë e vështirë. Nuk më pëlqeu loja ime, pasi besoj se mund të luajë më mirë. Me Rejën nuk është s’e kam pasur kontakte së fundmi”.
Qose ka dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët për situatën e vështirë që po kalohet për shkak të pandemisë së Covid-19.
“Shpresoj që kjo pandemi të kalojë sa më shpejtë. Për popullin shqiptarë më vjen të them vetëm durim dhe të respektojnë rregullat sa më shumë kundër virusit. Uroj dhe shpresoj që të gjithë t’ia dalin sa më mirë”.
/Rozalb Lika-Koha Jone/