EKSKLUZIVE/ Shameti: I fokusuar te Debreceni, gati të flas me këdo për të ardhmen

Nëse në Itali, Giorgio Chiellini është mbrojtësi më i spikatur për shkak të shpirtit të garës që shfaq në fushën e lojës, në Shqipëri të gjithëve na shkon mendja te Ylli Shameti. Të dy janë 35 vjeç, dhe janë një shembull për të gjithë për sjelljen brenda dhe jashtë fushave të lojës. Pas një sezoni të vështirë nga një dëmtim i gjatë, tani kapiteni i Kukësit është gati për të ndihmuar verilindorët për të bërë paraqitje të mira në Europa League.

 

Skuadra verilindore do të sfidojë ekipin hungarez të Debrecenit, teksa optimizmi nuk mungon te ai dhe shokët e tij. I përfolur në çdo fundsezoni në merkato, Shameti në një intervistë për “Koha Jone”, ka lënë gjithçka të hapur për të biseduar pas aventurës në kualifikueset e Europa League.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në turin e parë kualifikues të Europa League do të sfidoni Debrecenin. Si po shkojnë përgatitjet dhe a ndiheni gati për duelin e parë?

Swiss Digital Mobile Reklama

Kemi gati tre javë që kemi nisur fazën përgatitore. Mendoj se çdo gjë po shkon mirë. Urojmë që takimi i parë të na gjejë në formën optimale për t’u përballur me Debrecenin.

Kukësi ka bërë disa largime dhe afrime, jeni më të fortë apo më të dobët nga sezoni i fundit?

Çdo klub ka politikat e veta, pasi edhe futbolli i tillë është në këtë periudhë merkatoje. Uroj që të jemi më të fortë se sezonin e kaluar.

I keni studiuar pikat e dobëta të kundërshtarëve dhe si mendoni se anon përqindja për kualifikim?

Stafi po merret me këtë pjesë, pasi së bashku ne punojmë për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen, në mënyrë që mos të na sjellë surpriza. Përqindjen le t’ia lëmë fushës, pavarësisht se do të jetë nj ndeshje e vështirë.

Në turin tjetër, gjithmonë nëse kualifikoni do të sfidoni Torinon. Ju motivon më shumë të përballeni me lojtarë si Belotti apo Zaza?

Gjithmonë është kënaqësi të luash me ekipe të tilla, siç është Torino, por vëmendja duhet të jetë maksimalisht te Debreceni, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta shijojmë turin e dytë.

Jeni lojtari me më shumë eksperiencë te Kukësi dhe një lider në repartin difensiv. Në këto 6 vite, cili ka qenë momenti më i vështirë që keni kaluar?

Momenti më i vështirë është periudha kur kam qenë i dëmtuar. Jo për fajin tim, por diagnozës së mjekëve, pasi ishte hera e parë që nga koha kur kam nisur karrierën që qëndroja aq gjatë jashtë fushave. Më ka munguar shumë dhe protagonizmi në të.

Keni pasur oferta gjatë kësaj vere dhe ku besoni se do ta mbyllni karrierën?

Oferta kam pasur, por për momentin jam i fokusuar te ndeshja e Europa League me Kukësin, për të bërë më të mirë. Më pas do të ulem dhe do të flas me këdo që më përmbush kërkesat dhe shërbimet e mia. /Intervistoi: Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?