Ekskluzive/ Të pamotivuar, lojtarët e Kukësit 3 muaj pa marrë pagat
Nga pretendenti kryesor për titull kampionë, Kukësi rrezikon që të përfundojë në zonën për mbijetesë. Skuadra verilindore po kalon një nga momentet më të vështira të sezoneve të fundit, teksa tashmë gjendet 12 pikë larg nga vendi i tretë që të dërgon në zonën Europiane. Bilanci në ndeshjet e fundit është katastrofal, me 3 humbje dhe 2 barazime në 5 duelet e fundit. Një ecuri që ka bërë që Kukësi të gjendet 6 pikë larg nga Bylis që mban vendin e tretë nga fundit.
Një tjetër problematik e madhe që ka përfshirë Kukësin gjatë këtij sezoni ka qenë dhe çështje e pagave. Nga burime konfidenciale brenda klubit futbollistët kanë tri muaj pa marrë pagën, teksa deri më tani nuk kanë marrë as atë të janarit. Një situatë e vështirë, e ardhur edhe nga rezultatet e fundit. Gjici nuk ka pranuar që të paguajë lojtarët për shkak të ecurisë së dobët.
Futbollistët do të merrnin rrogën e muajit janar nëse do të fitonin ndaj Skënderbeut, por ata pësuan një humbje minimale 0-1, duke bërë që marrja e pagave të shtyhet. Me një ecuri të tillë brenda dhe jashtë fushave, rrezikohet që situata të shkojë deri në bojkot nga futbollistët. Investimet e fillim sezonit, duket se do të shkojnë të gjitha dëm, për një nga ekipet më të mira të sezoneve të fundit në Superiore. /R.Lika-Koha Jone/