Ekskluzive/ Xhixha tregon “sekretin” e 9 golave: Për të arritur në Kombëtare duhet shumë punë!
Redon Xhixha është një nga futbollistët më të spikatur këtë sezon, jo vetëm te skuadra e Laçit, por në gjithë Kategorinë Superiore. Talenti 21-vjeçar ka arritur që të shënojë 9 gola, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë në ekipin e kurbinasve pas Nwabueze (kryegolashënues).
Binomi me sulmuesin amerikan duket se i ka shërbyer për t’u bërë një sulmues më vrastar në zonën e kundërshtarëve. Në një intervistë për “Koha Jone”, Xhixha pranon se ky është sezoni i tij më i mirë, ndërkohë që shpreh dëshirën që një ditë të luajë në një kampionat më të fortë në Europë.
Si po e kalon periudhën e izolimit?
Këtë periudhën e izolimit po e kaloj në shtëpi me familjen time, sikur të gjithë të tjerët.
Ju mungon futbolli dhe si ja bëni për pjesën e stërvitjes?
Sigurisht që futbolli më mungon shumë, por në këtë situatë duhet të kujdesemi më shumë për veten dhe shëndetin tonë. Për sa i përket pjesës së stërvitjes, bëj çdo ditë në bazë të një programi që na ka dërguar trajneri.
Këtë sezon keni shënuar 9 gola në Kategorinë Superiore, duke qenë më i mirë na karrierën tuaj. Ka ndikuar skema, apo ju ndihmon më shumë Nwabueze?
Po, është sezoni që kam shënuar më shumë, por kjo ka ardhur edhe falë eksperiencës dhe pjekurisë që kam marrë nga dy sezonet e kaluar. Gjithashtu më kanë ndihmuar shumë edhe shokët e ekipit, duke më dhënë asist për golat që kam realizuar.
Siç e thatë dhe më lart tani jeni më i pjekur si futbollist, ku e shihni veten në të ardhmen? Në Kategorinë Superiore apo jashtë vendit?
Tani si çdo futbollistë i ri, normalisht që dëshiroj që të luaj në një kampionat më të fortë në Europë. Për ta arritur këtë gjë duhet të jap maksimumin dhe të shënoj sa më shumë, që një ditë të arrijë që të luaj në Europë.
Keni pasur ndonjë ofertë konkrete?
Këtë pyetje duhet të ja bëni klubit.
Deri tani keni qenë pjesë e Shpresave, mendoni se ka ardhur koha që të luani në Kombëtare?
Po, jam pjesë e Shpresave dhe si çdo futbollistë shqiptarë dua të luaj për Kombëtaren, por që kjo gjë të ndodhë duhet shumë shumë punë. /Rozalb Lika-Koha Jone/