“El Clasico”, Reali fiton 3-1 ndaj Barcelonës
Pa filluar mirë sfida, katalanasit kaluan në epërsi me anë Neymar, që mori një pasim nga Luis Suarez, që rikthehej pas pezullimit në fushë, dhe dërgoi topin në rrjetë duke mposhtur Casillas, në 4’. Vendasit bënë përpjekje për të barazuar rezultatin, duke krijuar raste të mira, ndërkohë që Messi dështoi në një rast ideal, që të ndëshkonte në anën tjetër.
Pas disa pretendimeve për penalti, nga të dyja palët, arbitri akordoi më në fund penalti për Los Blancos, pasi Pique ndali me dorë goditjen e Marcelos. Cristiano Ronaldo ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë, në 35’ dhe 1-1. Fillimi i gjysmës së dytë ishte fantastik për Realin. Një harkim nga këndi i Toni Kroos, u prit në zonë nga Pepe, për ta shënuar golin e dytë, në 50’. Barcelona kërkoi të barazonte rezultatin e ndeshjes, por Isco vodhi një top, pasoi te James, dhe ky i fundit asistoi për Karim Benzema. Francezi vulosi këtë takim në 61’.
Pas triumfir 3-1, Real Madridi është ngjitur në vend të dytë në tabelë me një pikë më pak se Barcelona, që mbetet në krye. Ronaldo hodhi një hap të sigurtë drejt trofeut të Topit të Artë, pas duelit direkt që fitoi me rivalin e tij, Messi.
KOHA JONË SONDAZH

