Elbasani në gjysmëfinale pas fitores dramatike me Partizanin, Vllaznia kalon pa probleme
Elbasani është gjysmëfinalisti më i ri i Kupës së Shqipërisë, pas një përballjeje dramatike që u vendos vetëm në sekondat e fundit të shtesës. Verdheblutë mposhtën 3-1 Partizanin pas 120 minutave lojë në takimin e kthimit, duke përmbysur humbjen 1-0 të sfidës së parë.
Në ndeshjen e zhvilluar në kryeqytet, Elbasani arriti të fitojë 2-1 brenda kohës së rregullt, rezultat që barazoi gjithçka në totalin e dy përballjeve. Loja u tensionua në shtesë, aty ku një episod i diskutueshëm në çastet e fundit ndryshoi fatin e kualifikimit. Gjyqtari akordoi një penallti për miqtë mes protestave të forta të vendasve, të cilët kundërshtuan ashpër vendimin.
Nga pika e bardhë, Ze Gomes u tregua i ftohtë dhe i saktë, duke dërguar topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 3-1, që siguroi biletën e Elbasanit për në katërshen më të mirë të kompeticionit.
Ndërkohë, Vllaznia u bë skuadra e parë që prenotoi gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Pas fitores minimale 1-0 në ndeshjen e parë, shkodranët triumfuan edhe në kthim ndaj Bylis me shifrat 2-1, duke vulosur kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Takimi i luajtur në “Loro Boriçi” u vendos që në pjesën e parë. Balaj zhbllokoi sfidën në minutën e 35-të, por vetëm tre minuta më pas Lima riktheu baraspeshën për miqtë. Në minutën e 44-t, Pusi shënoi golin që riktheu avantazhin e kuqebluve, rezultat që u administrua me kujdes në pjesën e dytë deri në vërshëllimën përfundimtare.
KOHA JONË SONDAZH

