Elektra Zykaj: Suksesi i kombëtares së futbollit, shtysë edhe për basketbollin (FOTO)
Intervista/Basketbollistja e Flamurtarit dhe kombëtares sonë nxjerr në pah problemet që has sporti i koshit në Shqipëri
Elektra Zykaj: Suksesi i kombëtares së futbollit, shtysë edhe për basketbollin
Elektra Zykaj, basketbolliste dhe kampione vendi me Flamurtarin dhe pjesë e kombëtares sonë, flet për suksesin e fundit të kombëtares së futbollit që shkoi në “Francë 2016” dhe bën krahasim se përse sporti që ajo përfaqëson është shumë larg një arritje të tillë. Basketbolli në Shqipëri has probleme nga më të shumtat dhe është jashtë vëmendjes së shtetit, sipas basketbollistes 25- vjeçare, e cila në një intervistë për “Koha Jonë” thotë se një ekip basketbolli në Shqipëri paguhet aq sa një futbollist i një ekipi futbolli po në vendin tonë:
Si lindi pasioni juaj për basketbollin, sport që pas viteve 90’ ka hasur gjithnjë vështirësi në vendin tonë?
Të them të drejtën ka qenë pasioni im që në shkollën fillore, duke u renditur gjithmonë nga të parat e shkollës. Përsa i përket aktiviteteve sportive duke rënë në sy për gjatësinë dhe shkathtësinë time në sport, ka qenë profesori im i parë, Ben Alimemeti, që më shtyu të vazhdoja më tej, duke u bërë pjesë e ekipit të Tiranës që në moshën 14- vjeçare. Me gjithë problemet që ka pasur gjithmonë, ka mbizotëruar pasioni që kam për këtë sport.
Tashmë jeni një basketbolliste profesioniste në Shqipëri. Çfarë objektiv i kenë vetes, në të ardhmen e karrierës sportive ?
Duke parë nivelin tone të sportit të basketbollit, mund të them se deri diku ndihem e arrirë , normale që objektiva kam shumë dhe synimet e mia qëndrojnë për jashtë. Kam pasur kontakte me dy ekipe të huaja, jashtë vendit tonë, dhe së fundmi në kampionatin Kosovar. Por nuk është se i kam të mbyllura plotësisht. Deri tani s’kam rënë dakord për kërkesat dhe kushtet e mia. Gjithsesi, një sportist kulmin e karrierës së tij e kërkon jashtë, ashtu siç dhe unë, por mbetet për t’u parë.
Tashmë jeni një basketbolliste profesioniste në Shqipëri. Çfarë objektivi i kenë vetes, në të ardhmen e karrierës sportive?
Për sa i përket infrastrukturës, mund të them që këtu kemi shumë për të folur, sepse asnjë nga pallatet e vendit tonë nuk i përmbush kërkesat nga FIBA. Së fundmi, ne do të jemi të grumbulluara nga ekipi kombëtar, besoj punë ditësh, dhe nuk dihet se ku do t’i zhvillojmë ndeshjet tona që kemi brenda. Është për të ardhur keq, sepse nëpër pallatet tona të sportit minimuni që duhet bërë është sistemi i ngrohjes ku të luash në 0 gradë, ose më pak. Tani që fillon dhe moti shumë i keq, është një stërmundim i dyfishtë. Por siç e theksova më lart, pasioni është ai që të shtyn për më tej. Mund të them se deri sot ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim të madh. Për sa i përket basketbollit më duket sikur vit mbas viti ai ka rënie. Se di se çfarë do të bëhet por gjithçka nis nga ekipet zinxhirë që sot e kësaj dite shumë pak qytete ose mund të them dy ose tre qytete të vendit tonë kanë ekipe zinxhirë. Kjo sjell edhe në mos freskimin e ekipeve, ose të një niveli shumë të dobët.
Cili ka qenë roli i shtetit, për të zhvilluar sportin që ju përfaqësoni apo edhe për të inkurajuar talentin?
Pas 3 viteve mungesë në kompeticionet jashtë vendit, ekipi kombëtar këtë vit mori pjesë me ekipet e moshave dhe gjithashtu do të marrë pjesë me kombëtaren e të rriturave në eleminatoret e evropianit, gjë e cila nuk pretendojmë të jemi fitues aspak. Por kjo rrit nivelin tonë të sportit. Mund të them që e ka pasur në dorë federata jonë që gjithashtu varet nga shteti, për mungesën e fondeve, gjë që ka çuar në këtë nivel sportin.
Jeni pjesë e Flamurtarit. Sa të vështira janë për ju ditët e stërvitjeve, ndeshjet, udhëtimet?
Jam pjesë e Flamurtarit prej 4 vjetësh. Tashmë stërvitem këtu bashkë me pjesën më të mirë të ekipit. Mund të them se na është bërë diçka rutinë ditë për ditë stërvitje dhe e premtja na gjen gjithmonë jashtë Tiranës, të grumbulluara të gjitha si ekip duke u përgatitur për ndeshjen e radhës. Mund të them se këtë gjë deri vjet e kanë bërë dy ekipet kryesore të kampionatit, por duke mos pasur fondet e mjaftueshme kjo ngel një zgjidhje e “mesme e artë”.
Sezoni i ri sapo ka nisur. Cilat janë objektivat dhe me çfarë problematikash është rikthyer ky sezon?
Sezoni ka dy javë që ka nisur dhe ne kemi shënuar dy fitore. Objektivat si ekip gjithmonë janë që të rrëmbejmë sërish trofetë e kampionatit. Por mesa kam parë deri më sot, jemi pretendente të denja pa kundërshtarë dhe fitues i të gjithë trofeve, problematikat në këtë kampionat, sigurisht, siç edhe e përmenda janë infrastruktura e pallateve. Këtë sezon ndryshe nga herët e tjera, ekipi i femrave të rritura merr pjesë në eliminatoret e Europianit ku gjëja më minimale është grumbullimi i këtij ekipi dhe që nuk do ketë një të tillë. Ndeshjet e kombëtares zhvillohen gjatë sezonit të kampionatit. Mesa kam marrë vesh të dyja do zhvillohen paralelisht, gjë e cila sjell stërmundim dhe një paraqitje jo të mirë të ekipit tonë kombëtar, duke ditur që na ka rënë një grup shume i fortë, me Anglinë, Malin e Zi dhe Italinë. Problem tjetër mbeten pagesat e ekipeve që vit mbas viti janë në zbritje, duke mos pasur sponsor të cilën mund të afrohen pranë ekipeve. Kjo sjell shkrirjen e ekipeve, në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi 8 ekipe vetëm me një kategori.
Jeni tërësisht e fokusuar te basketbolli, apo keni dhe angazhime të tjera?
Për momentin jam e fokusuar te sporti, duke mos lënë mënjanë shkollat që kam mbaruar për shkenca politike dhe juridike, që është pjesa tjetër e jetës sime. Por nesër a pasnesër mund të jem pjesë e organizatave shtetërore, por duke mos lënë pas botën e televizionit që është një gjë që mua më pëlqen.
Kombëtarja e Futbollit vetëm pak ditë më parë shënoi një sukses historik. Ju si pjesë e një sporti tjetër u ndjetë ndopak xheloze përveç gëzimit që mund të keni përjetuar si çdo shqiptar tjetër, që basketbolli nuk e ka mbështetjen dhe suksesin e futbollit në Shqipëri
Kombëtarja e futbollit na bëri krenarë dhe mund të them që ne sportistët mund ta kemi përjetuar këtë sukses më shumë se çdo njeri i thjeshtë. Këtë e them duke qenë se e veshur vetë fanellën e kombëtares, ndjesitë që të përcjell ajo, gëzimi i madh dhe një ndjenjë krenarie e pakrahasueshme duke më dhënë forcën dhe dëshirë që të punoj më shumë për këtë sport. Suksesi i kombëtares së futbollit nuk më bën aspak xheloze, vetëm me jep shtysë për të ecur përpara. Basketbolli nuk e ka kurrë mbështetjen që kanë ekipet e futbollit. Mund të them që një ekip basketbolli mund të mbahet me rrogën e lojtarit më të mirë të vendit tonë në futboll, kështu që krahasimet e tjera bëjeni vetë (qesh).
Ku besoni se qëndron suksesi i ekipit kombëtar të futbollit dhe që duhet ta kenë edhe ekipet e tjera?
Personalisht mendoj që suksesi qëndron te djemtë e talentuar dhe të një trajneri shumë të përgatitur si De Biazi i cili i ka bërë “1” të gjithë. Duke u ndeshur me emra të mëdhenj të futbollit e duke mos bërë shumë diferencë në fushë, dhe duke llogaritur që kanë një kohë që luajnë bashkë, mendoj që me këtë mesatare moshe që kanë mund të shkojnë dhe më lart. E uroj këtë.
Në një emision të fundit sportiv ishit përballë kryeministrit të vendit Edi Rama, i cili dikur ka qenë edhe basketbollist. E pyetët atë edhe direkt vetë, por a besoni se ka ndryshuar vëmendja e shtetit ndaj sportit të basketbollit tashmë që një ish-basketbollist drejton qeverinë?
Ishte një nder për mua ta kisha përballë dhe pse jo të ndjek gjurmët e tij si një ish-basketbollist shumë i mirë i kombëtares dhe kryeministër i vendit tonë. Por mendoj se gjërat bëhen me radhë dhe duke ditur që ai i di shumë mirë problematikat dhe hallet e sportit. Nuk pretendojmë sot për nesër, ashtu siç edhe futbolli nuk është ndërtuar sot për nesër. Por në një të ardhme të afërt besoj të bëhet diçka, dhe jam e bindur se në përkrahjen e tij. Ai e do sportin dhe kjo gjë u duk gjatë gjithë kësaj kohe me kombëtaren e futbollit dhe vura re atë natë që e kisha përballë se me sa dashuri dhe pasion fliste për sportin në përgjithësi por edhe për basketbollin, duke mos e lënë pa e përmendur.
Së fundmi, e jeni e rrethuar nga shumë miq në jetë dhe cilët janë miqtë e tu më të mirë?
Sigurisht që kam miq shumë të mirë që i kam pranë ,që më kanë vërtetuar në çdo kohe t’i kem pranë vetes, pak e saktë do të thosha. (qesh).
KOHA JONË SONDAZH

