Eliminimi i turpshëm nga Kupa, shpërthejnë mediat angleze ndaj United: Një paraqitje groteske!

Për herë të parë në historinë e saj, Manchester United është eliminuar nga një skuadër e kategorisë së katërt në Kupën e Ligës Angleze. Ekipi modest i Grimsby Town realizoi një nga surprizat më të mëdha të edicionit, duke fituar pas një maratone penalltish 12-11, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2.

Rezultati është cilësuar si “një turp i madh” nga mediat britanike, të cilat theksojnë se pritshmëritë pas një vere me investime të mëdha janë shuar shumë shpejt. Pas humbjes 1-0 me Arsenal dhe barazimit 1-1 ndaj Fulham në Premier League, disfata në Kupë ka shtuar presionin mbi trajnerin Ruben Amorim.

Një paraqitje gati groteske,” shkruan The Guardian, duke kujtuar se United ishte në disavantazh 0-2 pas vetëm 30 minutash, përpara se Bryan Mbeumo dhe Harry Maguire të barazonin shifrat. Humbja erdhi pas penalltive, ku protagonisti negativ ishte portieri Andre Onana.

Swiss Digital Desktop Reklama

The Telegraph e ka quajtur paraqitjen e ish-portierit të Interit “të turpshme”, duke e akuzuar se “të gjitha hedhjet ishin në drejtimin e gabuar”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe Daily Mail nuk kurseu kritikat, duke vënë theksin tek vlera e jashtëzakonshme e formacionit titullar, rreth 465 milionë euro, ndërkohë që “Grimsby e meritoi plotësisht fitoren”. Tabloidi britanik kujtoi gjithashtu se dy klubet nuk ishin përballur prej 77 vitesh, duke nënvizuar hendekun teorik mes tyre.

Ndërkohë, Manchester Evening News e përshkroi gjuhën e trupit të Amorimit si “atë të një trajneri tashmë të dënuar”, ndërsa disa tifozë kanë nisur të këndojnë këngë që kërkojnë largimin e menjëhershëm të tij.

“Djajtë e Kuq” do të përballen të shtunën në shtëpi me Burnley në Premier League, një ndeshje që pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Amorimit. Një tjetër humbje do të thellonte krizën që tashmë duket shumë e thellë në “Old Trafford”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?