Elkann i telefonon Tudor, nuk pritet të ketë revolucion në pankinën bardhezi
Pas emërimit të Damien Comolli në strukturat drejtuese të klubit (ndërkohë që pritet largimi i Cristiano Giuntolit) dhe zyrtarizimit të Giorgio Chiellinit në një rol të ri brenda shoqërisë, Juventus po përgatitet për Botërorin e Klubeve, ndërsa çështja e trajnerit mbetet ende e hapur. Por, siç raporton Corriere della Sera, ka pasur një zhvillim të rëndësishëm: John Elkann, administrator i përgjithshëm i Exor-it, ka ndërhyrë personalisht.
Dje, Elkann ka telefonuar Igor Tudorin, duke i shprehur vlerësim për punën e tij në një periudhë të vështirë për klubin dhe duke i konfirmuar besimin për vazhdimësinë në stolin bardhezi. Ai e ka inkurajuar trajnerin kroat që të vazhdojë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm, duke i siguruar se zërat për kontakte me trajnerë të tjerë nuk janë të vërteta.
Ndërkohë që skuadra është rikthyer në stërvitje për përgatitjet për Botërorin e Klubeve, me Tudor që tashmë e di se ka shanse të forta për të fituar konfirmimin edhe pas këtij turneu. Madje, momentalisht ai shihet si favoriti absolut për të qëndruar, përpara emrave si Stefano Pioli, Roberto Mancini dhe Marco Silva.
Të mërkurën pritet edhe një takim mes Comollit dhe Tudorit, dy figura që njihen mirë që nga koha e përbashkët në Olympique Marseille, gjë që përforcon edhe më shumë mundësinë që Tudor të vazhdojë në krye të Juventusit.
Trajneri kroat ka kontratë me bardhezinjtë deri më 30 qershor 2026, pasi klauzola e rinovimit automatik u aktivizua pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve.
KOHA JONË SONDAZH

