Emergjenca nga koronavirusi, UEFA hedh një ide të re për “Euro 2020”
Emergjenca e koronavirusit nuk lë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse shtyrjen e Europianit 2020. Zyrtarizimi i këtij vendimi pritet të bëhet këtë të martë, pas video-konferencës që UEFA do të organizojë me 55 federatat anëtare dhe përfaqësues të ligave, klubeve e futbollistëve.
Qëllimi është spostimi i turneut më të rëndësishëm kontinental më 23 nëntor dhe zhvillimi i tij deri më 23 dhjetor. Një ndryshim kolosal për eventin që duhej të niste më 12 qershor dhe të shpallte kampionin e Europës në finalen e 12 korrikut.
Në këtë situatë, kampionateve kombëtare do t’u krijohet mundësia që të rinisin në maj dhe të mbyllen normalisht në qershor, për të shpallur kampionët dhe skuadrat pjesëmarrëse në arenën ndërkombëtare.