Emery kujton humbjen 6-1 ndaj Barcelonës: Ja si i favorizoi gjyqtari Aytekin …

Unai Emery kujton me keqardhje humbjen e turpshme 6-1 ndaj Barcelonës në ndeshjen e kthimit të raundit të 1/8-ve të Champions League në sezonin 2016/17.

Gjatë një bisede në rrjetet sociale me ish ndihmësin e tij Diego Martinez , tani në stolin e Granada-s, trajneri bask u kthye në atë sfidë të jashtëzakonshme: “E ripashë ndeshjen disa ditë më parë sepse më doli duke bërë zapping në televizion, saktësisht nga minuta e 50′ deri në 82′. Kishte një penallti të qartë për Di Marian, që nuk u fishkëllye.

Kishte edhe një faull të Neymar ndaj argjentinasit, nga ku lindi goli për rezultatin 4-1. Ka edhe rrethana të tjera vendimtare, futbollistë si Suarez, hidheshin gjithmonë zonë, duke i bërë presion gjyqtarit për ta mashtruar.

Në minutat e fundit një nga futbollistët tanë më të rëndësishëm, i cili kishte pasur probleme gjatë javës, u fsheh. Tani do ta bëja atë zëvendësim. Janë disa detaje që e vendosin ndeshjen”, deklaroi Emery.

Gjermani Aytekin në atë ndeshje dha dy penallti, që u transformuan në gol nga Messi 50’ dhe Neymar 91’. Emery e cilësoi atë ndeshje si momentin më të keq të karrierës së tij. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP