Ende pozitiv me Covid-19, Ronaldo nesër tampon tjetër për të qenë gati ndaj Messit
Konfirmohet lajmi që doli fillimisht në mediat portugeze, Cristiano Ronaldo ka rezultuar pozitiv në tamponin e kryer gjatë ditës së mërkurë. Gjithsesi klubi torinez nuk është dorëzuar, pasi ditën e premte është programuar një tjetër testim, në mënyrë që të jetë gati për sfidën e së dielës ndaj Veronës, e mbi të gjitha për përballjen kundër Barcelonës së Messit, në program për 28 tetor. Gjithsesi për të dyja këto ndeshje, prezenca e CR7 është në dyshim të madh.
Ronaldos i mjafton testimi negativ vetëm 24 orë para ndeshjes ndaj Veronës për të qenë në listën e të grumbulluarve. Edhe pse ai është asimptomastik dhe është stërvitur në shtëpi pa pasur ndonjë simptomë, sigurisht që nuk mund të bashkohet me ekipin pa marrë një përgjigje si “negativ” ndaj Covid-19. Kujtojmë që portugezi rezultoi pozitiv më 13 tetor gjatë grumbullimit me Portugalinë. Fitimi i betejës me virusin famëkeq nuk ka një periudhë të përcaktuar, por është parashikuar nga 10-14 ditë në karantinë.
Ronaldo mbetet shumë aktiv në rrjetet sociale, teksa së fundmi ka postuar një foto duke ngrënë, ndërkohë që shokët e tij mbeten të izoluar në qendrën e klubit pas daljes pozitive të mesfushorit McKennie. Nëse ai do të shërohet, edhe lojtarët e tjerë do të lehtësohen nga karantina e detyruar që ka vendosur klubi. Një situatë e komplikuar, teksa rrezikohet që të mos shohim duelin mes Ronaldos dhe Messit të mërkurën e ardhshme, që do të ishte një humbje e madhe për futbollin dhe tifozët.
Rregullat e UEFA-s parashikojnë se një lojtarë mund të luajë vetëm nëse del 1 javë përpara negativ, por klubi i Juventusit ka depozituar të gjitha provat se ai është në gjendje shumë të mirë dhe është në pritje të shërimit nga Covidi. Një situatë absurde që ka prishur jetën normale të të gjithëve në Europë, por dhe në botën e futbollit me rregulla të reja. /Rozalb Lika-Koha Jone/