Erion Veliaj: Amfiteatri i Tiranës dhe pedonalja do shndërrohen në dy “Fan Zone” për tifozët e Romës dhe Feyenoord
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbolli sot pemë me nxënës të shkollës “Emin Duraku”, ku u kujdes të jepte edhe disa detaje lidhur me përgatitjet për finalen e madhe të Conference League. Ai tha se Amfiteatri i Tiranës dhe pedonalja ‘Murat Toptani” do të kthehen në Fan Zone për tifozët e Romës dhe Feyenoord, në mënyrë që edhe ata që nuk kanë mund të sigurojnë një biletë, ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.
“Këtë javë presim nga 50 deri në 100 mijë tifozë, të cilët ndoshta do të vijnë edhe pa bileta, vetëm për atmosferën. Kemi përgatitur Amfiteatrin e Liqenit, ku do të vendosen tifozët e Romës, të cilët do ta ndjekin ndeshjen përmes ekraneve të mëdha, nëse nuk kanë bileta. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me tifozët e Feyenoord, që vijnë nga Roterdami, te pedonalja e Tiranës. E mërkura do të jetë një ditë pa makina, një ditë pushimi edhe për shkollat. Edhe kjo është një mënyrë për t’i thënë qytetit se duhet ta ulim pak përdorimin e makinës”, njoftoi Veliaj.
Ndërkaq, kryebashkiaku falenderoi nxënësit që iu bashkuan nismës për të mbjellë pemë.