Erion Veliaj: Asnjë dhomë e lirë në Tiranë në 25 maj për finalen e “Conference League”
Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur për finalen e Conference League, që do të zhvillohet në Tiranë në 25 Maj. Veliaj theksoi se për shkak të ndeshjes hotelet kanë tejkaluar kapacitetet akomoduese, aq sa sot është e vështirë të gjesh një vend të lirë në hotel. Ai tha me shaka se për shkak të kësaj mbingarkese, edhe kryetarët e Bashkisë së Romës dhe të Roterdamit, që do të vijnë në Tiranë për të ndjekur ndeshjen, “po hyjnë miq” për të gjetur një vend në hotel.
“Kam një mesazh edhe për ne që jetojmë në Tiranë: Ne o do bëjmë histeri, o do bëjmë histori, sepse s’mund t’i bëjmë të dyja. Nuk mund të ulërasim ‘çfarë janë këto kulla dhe oligarkë, e pastrimi i parave’, nëse s’kemi fakte. Po të kemi fakte, patjetër duhet të shkojmë në prokurori. Por, ja ku jemi sot, ia mbërritëm ditës që në Tiranë nuk ka më vend në hotele. Pra, nëse ne duam të jemi lojtarë globalë në këtë ‘lojë’, në këtë sfidë, që Majlinda hapi për të gjithë rajonin, do duhet të sillemi si njerëz seriozë. Nëse na kaplon histeria, xhelozia, smira dhe fillojmë i bëjmë llogaritë tjetrit, nuk e kuptojmë se një hotel si ky, që po ndërtohet këtu, nëse shtrihet horizontal do të zinte gjithë “Nënë Terezën”; nëse hotel “Plaza” do shtrihej në 4-5 kate, do zinte gjithë sheshin “Skënderbej”. Ajër kemi, tokë nuk kemi mjaftueshëm, sidomos tokën në qendër të Tiranës, ku duan të jenë të gjithë”, deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi edhe faktin se nëse duam të jemi një vend i mirëfilltë turistik, duhet të pranojmë të kemi edhe hotele të larta, në gjendje që të mund të përballojnë aktivitete të përmasave të tilla si finalja e një kupe europiane.
KOHA JONË SONDAZH

