Ernest Muci gati të thyejë një rekord unikal në kampionatin turk
Ernest Muçi po përjeton momentin më të mirë të karrierës së tij në Turqi. Sulmuesi shqiptar i Trabzonsporit ka shënuar 6 gola në 4 ndeshjet e fundit në Süper Lig, duke konfirmuar një formë fantastike dhe duke e çuar përpara serinë e tij pozitive.
Nëse Muçi arrin të gjejë rrugën e rrjetës edhe në përballjen e radhës ndaj Gençlerbirliği, ai do të barazojë një rekord që mungon prej 11 vitesh. Sulmuesi shqiptar do të bëhej lojtari i parë që shënon në pesë ndeshje radhazi në kampionat, që nga sezoni 2013–2014, kur këtë arritje e realizoi Paulo Henrique.
Në Trendyol Süper Lig, 24-vjeçari ka shënuar në katër ndeshje rresht, duke mos i lënë asnjëherë portat kundërshtare të paprekura. Ai ka realizuar dy gola ndaj Başakşehir, një kundër Konyasporit, dy ndaj Göztepes dhe një gol ndaj ish-skuadrës së tij, Beşiktaş.
Muçi u transferua te Beşiktaş në janar të sezonit 2023–2024, ku në 13 ndeshje të Süper Lig shënoi 3 gola. Në sezonin pasues, ai u aktivizua 27 herë në kampionat me fanellën bardhezi, duke kontribuar me 4 gola dhe 3 asistime. Në fillim të këtij sezoni, para transferimit te Trabzonspor, sulmuesi shqiptar luajti vetëm 58 minuta me Beşiktaşin, pa arritur të lërë gjurmë.
Kalimi te skuadra e Karadenizit rezultoi vendimtar për karrierën e tij. Me fanellën bordoblu, Muçi duket se ka “gjetur veten”. Deri tani ai ka zhvilluar 12 ndeshje në kampionat, ka qëndruar 625 minuta në fushë dhe ka realizuar 6 gola, duke regjistruar sezonin më të mirë për nga efikasiteti ofensiv.
KOHA JONË SONDAZH

