Ernest Muçi largohet nga Tirana, transferohet te Legia e Varshavës
Ernest Muçi mbyll aventurën e tij me klubin ku u rrit dhe formua si futbollist, Tiranën, për t’u bashkuar me gjigantët polakë të Legias së Varshavës. Sulmuesi që më 19 mars do të festojë ditëlindjen e 20-ë, luajti dje ndaj Teutës ndeshjen e fundit me fanellën bardheblu, teksa sipas SuperSport ka arritur plotësisht marrëveshja për transferimin e tij në Poloni.
Sot ose nesër pritet që Muçi të fluturojë drejt Polonisë, ku do të kryejë vizitat mjekësore dhe do të hedhë firmën mbi kontratën me klubin e Legias, duke qenë se zyrtarizimi duhet bërë brenda datës 24 shkurt, kohë kur edhe mbyllet merkatoja atje.
Tirana do të përfitojë 450 mijë euro, plus 100 mijë euro të tjera në rast se Legia do të luajë në kupat e Europës sezonin e ardhshëm, si dhe 10% të vlerës së kartonit në rast rishitjeje të Muçit në të ardhmen.
Ernest Muçi debutoi me fanellën e Tiranës në ndeshjen ndaj Kukësit më 2 shtator të 2018-ës dhe deri tani numëron rreth 60 ndeshje me fanellën bardheblu, ku ka shënuar më tepër se 15 gola.