Ernest Muçi tremb Sylvinhon, dëmtohet në seancën stërvitore
Nuk kanë fund problemet në Kombëtare. Ernest Muçi ka alarmuar stafin kuqezi, pasi pësoi një dëmtim në seancën e fundit stërvitore. Për disa minuta, 23-vjeçari ka qëndruar i shtrirë në fushë, duke mos e vijuar stërvitjen.
Muçi vendosi këmbën e djathtë keq në tokë, me stafin që shpreson që futbollisti të mos ketë asgjë serioze. Vizitat mjekësore do të përcaktojnë edhe më shumë mbi gjendjen e tij dhe nëse Muçi do të jetë i gatshëm ndaj çekëve apo jo.
Një mungesë që nëse ndodh do të ndërlikojë jo pak planet e trajnerit Sylvinho. Braziliani nuk ka në dispozicion edhe Rey Manaj, i thirrur fillimisht për të qenë në fushë për këto dy sfida tepër vendimtare në Ligën e Kombeve. Edhe Mirlind Daku nuk do të jetë në fushë ndaj Republikës Çeke për shkak të pezullimit prej kartonëve.