Et’hemi tregon karantinën e tij: Po e shijoj më shumë familjen!

Valon Et’hemi në një intervistë për faqen e klubit të Kukësit tregon ditët e karantinës pas ndërprerjes së kampionatit dhe përpjekjet për të ruajtur formën fizike për pjesën e mbetur të sezonit.

Si e kalon një ditë në karantinë Valon Et’hemi?

Është një situatë që nuk është se dikush mund ta ketë provuar më parë në nivele të tilla globale dhe sigurisht që të gjithë jemi përpjekur të përshtatemi në raport me mundësitë që kemi. Stërvitem rregullisht individualisht, mundohem të pushoj mirë dhe sigurisht penalizimin që na sjell karantina e kam shfrytëzuar për të shijuar më shumë familjen dhe tani po e shoh se sa shumë më paska munguar, duke qenë gjithë kohën të ndarë për shkak të angazhimeve profesionale.

Sa e vështirë është për një futbollist të qëndroje kaq kohë larg fushave?

Sigurisht që është shumë e vështirë, pasi jemi mësuar që gjithë kohën të jemi në fushë, posaçërisht në këtë periudhë të vitit kur ndeshjet kanë rëndësi të madhe në drejtim të vendosjes së kampionatit apo ambicieve të cilësdo skuadër.

A mendon se do të jetë e vështirë të rifitohet forma pas këtij pushimi të gjatë?

Patjetër që do të ketë vështirësi dhe jo vetëm për ne. Është problem global, me të cilin do të ballafaqohen edhe skuadrat më të mëdha botërore. Por kjo është situata dhe duhet ta pranojmë. Në kushte shtëpie jemi munduar të ruajmë nivelin fizik dhe masën trupore, që gjithsesi nuk mjafton për një sport kolektiv si futbolli, por duke qenë në kondicion të mirë, besoj se me një mini-fazë përgatitore të arrijmë të kthehemi aq sa do të mundemi në një nivel të dëshiruar, që do na shërbente për realizimin e objektivave.

A keni pasur kontakte me stafin dhe ekipin?

Po, patjetër. Një grup ku komunikojmë vazhdimisht ka ekzistuar prej kohësh dhe tani aty vetëm është shtuar komunikimi për ndjekjen e programit dhe detyrave që na janë dhënë nga stafi teknik. Sigurisht që nuk mungojnë as batutat e ngacmimet apo edhe biseda të zakonshme se si po e kalojmë këtë periudhë krize me COVID-19.

Çfarë këshillash ju jepen?

Gjëra standarde për sportistë apo futbollistë. Të kemi kujdes me jetë që bejme, të ruajmë masën trupore dhe kondicionale, kujdes për çka hamë dhe si flemë, sepse në këto kushte janë gjëra shumë me rëndësi për të mos dalë tërësisht nga ritmi i një sportisti.

Pastaj sfida do të jetë të kthejmë punën në grup, që futbolli ashtu si sportet e tjera kolektive e kanë hendikapin më të madh në këtë kohë të krizës me Koronavirusin dhe karantinës së detyrueshme që po na imponohet. Uroj që gjithë kjo të përfundojë së shpejti, të sëmurët të shërohen dhe të gjithë së bashku t’u kthehemi jetëve tona normale.

SHKARKO APP