Europa League/ Atletiko dhe Arsenal në gjysmëfinale, Lacio turpërohet nga Salzburgu (VIDEO)
Gola, emocione dhe surpriza të shumta në ndeshjet e kthimit në çerekfinalet e Europa League. Salzburg, Atletiko Madrid, Arsenal dhe Marseja janë katër ekipet që kanë siguruar një biletë për në gjysmëfinale.
Lacio është eliminuar nga Salzburgu në ndeshjen e kthimit, pasi është mundur 4-1 nga ekipi austriak. Bardhekaltrit e nisën mjaft mirë me një gol të Imobiles ndeshjen e kthimit, por gëzimi i tyre zgjati vetëm një minutë pasi Dabur barazoi shifrat. Më pas vjen një shok total për ekipin italian që pëson 3 gola për 4 minuta, duke u eliminuar. Strakosha nuk mundi të ishte hero këtë mbrëmje.
Atletiko Madrid ka siguruar kalimin mes katër ekipeve më të mira në Europa League edhe pse janë mundur 1-0 ndeshjen e kthimit nga Sportingu. Montero shënoi golin e vetëm, ndërkohë që sfidën e parë spanjollet e kishin fituar 2-0.
Arsenali ka siguruar një biletë për në gjysmëfinale, edhe pse në ndeshjen e kthimit ka barazuar 2-2 ndaj CSKA së Moskës. Ekipi i Venger kishte fituar 1-4 ndeshjen e parë. Rusët u duk se do të bënin mrekullinë pasi shënuan dy herë me Çalov dhe Nababkin, por Deni Uellbek shuajti shpresat e tyre me një gol në minutën e 75-të dhe në fund nga Ramsi.
Një përmbysje të madhe bëri dhe Marseja që fitoi 5-2 ndeshjen e kthimit ndaj Lajpcigut, pasi duelin e parë e kishin humbur 1-0. Për francezët shënuan autogol Ilsanker, Sarr, Thauvin, Pajet dhe Sakai, ndërkohë që për miqtë gjetën golin Bruma dhe Augustin. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

