Federata e Armenisë: Nëse nuk mundet Shqipëria më 29 mars, shkarkohet trajneri
Ndeshja e parë zyrtare e Kombëtares Shqiptare për vitin 2015, do të jetë përballja me Armeninë në “Elbasan Arena”, më 29 mars. Kjo do të jetë edhe ndeshja e katërt eliminatore për kuqezinjtë e Gianni de Biasit, dhe ndoshta vendimtare për fatet e tyre, në ëndrrën e kualifikimit për në “Francë 2016”. E ndërsa trajneri italian Gianni De Biasi, pas fitores me Portugalinë në transfertë dhe barazimit me Danimarkën në Elbasan, duke mos llogaritur ndeshjen problematike të Beogradit, e ka shprehur rëndësinë e madhe që ka fitorja përballë këtij kundërshtari, Armenisë, në të gjithë fushatën e eliminatoreve, sidomos takimi që do të luhet në fushën tonë. Por për armenët, që janë kundërshtari i vetëm pas nesh në klasifikimin e FIFA-s, ka gjithashtu edhe më shumë rëndësi fitorja e tyre ndaj Shqipërisë, madje në të dyja ndeshjet. Pas një takimi që është mbajtur me trajnerin e kombëtares së Armenisë, Bernard Challandes, një muaj para ndeshjes me Shqipërinë, presidenti i Federatës Armene i ka vënë kushti trajnerit që: – “Nëse Armenia nuk e mund Shqipërinë, në ndeshjen e ardhshme kualifikuese, trajneri zviceran duhet të japë dorëheqje.” Sipas të përditshmes sportive armene, “Sport.news.am” ky lajm është konfirmuar nga vetë presidenti i Federatës së Futbollit të Armenisë, Ruben Hayrapetyan.
KOHA JONË SONDAZH

