Federata e Kosovës konfirmon ankesën në CAS për skandalin në Rumani
Federata e Futbollit të Kosovës, ka konfirmuar ankesën në CAS, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Rumani më 15 Nëntor, në Ligën e Kombeve.
Kosova ka paraqitur ankesën ndaj vendimit të UEFA-s, që i dha fitoren 3-0 Rumanisë, pasi lojtarët “dardanë” braktisën ndeshjen, për shkak të thirrjeve anti-shqiptare nga tifozët.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin publik se në afatin e përcaktuar kohor, ka proceduar në CAS ankesën ndaj vendimit të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Rumani- Kosovë, të datës 15.11.2024.
FFK-ja, përveç angazhimit të ekipit të vet ligjor, është në konsultim edhe me disa studio ligjore me përvojë të madhe me lëndët në CAS, kryesish nga Zvicra dhe Gjermania, për t’ u përfaqësuar në mënyrën e vet më të mirë në këtë betejë ligjore në kërkim të së drejtës për Federatën dhe ekipin tonë Kombëtar. Federata e Futbollit e Kosovës shpreh besimin e saj të plotë që CAS do të marrë vendim të drejtë e meritor”, shkruhet në komunikatë.
Kujtojmë se ndeshja u braktis nga Kosova në minutat e fundit kur ishte 0-0 dhe pavarësisht kërkesës së arbitrit, lojtarët dhe stafi refuzuan të rikthehen në fushë. UEFA, vendosi t’i japë fitore Rumanisë në tavolinë, por FFK e ka çuar çështjen në CAS, aty ku kërkojnë ndryshimin e vendimit.