Federata Spanjolle e futbollit përplasje me Barcelonën për largimin e papritur të Yamal
Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) konfirmoi dje se Lamine Yamal është larguar nga grumbullimi i kombëtares spanjolle, pavarësisht se ishte thirrur për ndeshjet kualifikuese ndaj Gjeorgjisë dhe Turqisë. Vendimi, i marrë me hezitim nga stafi i kombëtares, ka ndezur tensione të forta mes Federatës dhe Barcelonës.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, e cilësoi rastin si “të pazakontë”, duke shpjeguar se ndërhyrja mjekësore ndaj lojtarit ishte kryer nga klubi katalanas pa njoftuar më parë mjekët e përfaqësueses. Ky fakt, sipas tij, ishte arsyeja që çoi në lirimin e Yamalit.
Në një intervistë për El Partidazo de Cope, De la Fuente tregoi gjendjen emocionale të lojtarit pas ngjarjes: “Yamal u largua i trishtuar dhe i tronditur. Ai vetë nuk e dinte saktësisht se cilat do të ishin pasojat e trajtimit. Ndërhyrja u bë të hënën në mëngjes, pas ndeshjes në Vigo, dhe ne nuk kishim asnjë dijeni për të.”
Më tej, trajneri spanjoll shtoi se do të ketë një bisedë me trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick: “Do të flas me Flick, por kjo nuk është çështje trajnerësh, është çështje institucionale. Çdo palë duhet të respektojë rolin e vet. Duhet të arrihet një mirëkuptim mes Federatës dhe klubit, duke pasur parasysh rëndësinë e përfaqësimit të kombëtares.”
De la Fuente nuk kurseu as sulmet ndaj Barcelonës: “Unë kujdesem për lojtarët, prandaj askush të mos më bëjë moral për këtë. Është mirë të flitet për kujdesin ndaj futbollistëve, por as Barça, as ndonjë tjetër, nuk duhet të më mbajë ligjërata për këtë çështje.”
KOHA JONË SONDAZH

