FIFA bën gati planin Marshall për të ndihmuar klubet e futbollit
Në kohën kur emergjenca e koronavirusit po përhapet në të gjithë botën, FIFA nxiton që të shpëtojë futbollin. Sipas një zëdhënësi, konfederata botërore është e gatshme të nisë një lloj plani Marshall për të ndihmuar klubet që të rimëkëmben ekonomikisht pas ndalimit të të gjitha kompeticioneve.
“Ne konfirmojmë që FIFA po punon për mundësinë e ofrimit të ndihmës për komunitetin e futbollit në të gjithë botën, pasi të bëjë një vlerësim global të ndikimit financiar që do të ketë kjo pandemi në futboll”.
Detajet e planit nuk janë zbuluar ende. Pasi ka analizuar situatën, FIFA duket se ka vendosur të dëgjojë apelet që vijnë nga shumë pjesë të botës së futbollit, si nga klubet ashtu edhe nga lojtarët. Ditët e fundit, një artikull i “Neë York Times” raportonte për një një fond të veçantë urgjence prej qindra miliona dollarësh.
Kjo mund të jetë zgjedhja e drejtuesve botërorë të futbollit për të ndihmuar konkretisht klubet që të përballen me problemet financiare që lidhen me të ardhurat e humbura nga të drejtat e televizionit, arkëtimet dhe sponsorizimet. /R.Lika-Koha Jone/