FIFA i bllokon merkaton Partizanit për një vit, shkak bëhet çështja Çinari

FIFA dënon Partizanin dhe i bllokon merkaton për një vit, si edhe e gjobit me 80 mijë euro. Shkak është bërë transferimi i parregullt i sulmuesit Eraldo Çinari në verën e vitit 2018. Gjithashtu edhe vetë futbollisti është pezulluar për katër muaj nga aktiviteti.

Dy vjet më parë, transferimi i Çinarit u kthye në një telenovelë. 23-vjeçari u transferua te spanjollët e Deportivo Alaves, një lëvizje e cila u shoqërua me akuza nga Vllaznia. Shkodranët, klubi në të cilin sulmuesi u formua dhe u afirmua, deklaroi se Alaves falsifikoi dokumentacionin dhe firmat, ndërsa gënjyen për pagesën, e bërë në një numër llogarie në Itali, me të cilin klubi kuqeblu nuk kishte lidhje.

Në situatën e krijuar, Eraldo Çinari u huazua te Istra në Kroaci, klub në të cilin presidenti i Alaves zotëronte aksionet. Edhe ai transferim u cilësua i parregullt dhe i realizuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Në situatën e krijuar, sulmuesi u tërhoq nga aventura e parë jashtë Shqipërisë dhe qëndroi në Kategorinë Superiore, duke firmosur për Partizanin. Por, Istra e kaloi çështjen te FIFA, komisionet e së cilës i dhanë të drejtë pas dy vjetësh.

Partizani u cilësua fajtor për shkelje të rregullave dhe do të përballet me sanksionin e bllokimit të dy afateve të transferimeve si edhe gjobë. Kjo bën që gjatë gjithë sezonit të ardhshëm, të kuqtë të mos realizojnë dot blerje apo shitje futbollistësh, si edhe të humbasin Çinarin për kupat e Europës dhe në pjesën e parë të sezonit.

SHKARKO APP