FIFA mund t’i heqë organizimin e Kupës së Botës 2026 SHBA-së me një klauzolë

Muajt e fundit është hapur një debat i gjerë ndërkombëtar rreth Kupës së Botës 2026, e cila do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me Kanadanë dhe Meksikën. Disa figura të njohura të sportit dhe politikës kanë vënë në pikëpyetje rolin e SHBA-ve si vend pritës, duke përmendur klimën politike të brendshme gjatë presidencës së Donald Trump.

Polemikat janë ushqyer nga një sërë episodesh të diskutueshëm: tensionet diplomatike me aleatë europianë lidhur me çështjen e Groenlandës, protestat e brendshme dhe përplasjet e lidhura me veprimet e ICE në Minneapolis, si edhe krizat ndërkombëtare që kanë përfshirë Iranin dhe Venezuelën. Të gjitha këto kanë nxitur shqetësime për stabilitetin dhe sigurinë në prag të një eventi global si Botërori.

Së fundmi, 23 deputetë britanikë kanë paraqitur edhe një mocion, ku u kërkohet organizmave sportivë ndërkombëtarë të vlerësojnë mundësinë e përjashtimit të SHBA-ve nga organizimi i ngjarjeve madhore sportive, përfshirë Kupën e Botës 2026. Megjithatë, pavarësisht zhurmës mediatike dhe politike, këto iniciativa nuk kanë sjellë pasoja konkrete në planin sportiv.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga pikëpamja rregullatore, vetëm një skenar ekstrem mund ta vërë realisht në rrezik organizimin e Botërorit nga SHBA-të. Rregulloret e FIFA-s për Kupën e Botës 2026 parashikojnë mundësinë e anulimit, shtyrjes apo zhvendosjes së ndeshjeve, apo edhe të gjithë turneut, vetëm në raste që lidhen me sigurinë, shëndetin ose forcën madhore. Kjo përfshin situata të jashtëzakonshme si luftëra, trazira civile, akte terroriste apo ngjarje të paparashikueshme që e bëjnë të pamundur respektimin e marrëveshjeve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas Jack Anderson, profesor i së drejtës sportive në Universitetin e Melburnit, i cituar nga SPORTbible, heqja e të drejtës së organizimit SHBA-ve mbetet “e pamundur në praktikë”, edhe pse teorikisht nuk përjashtohet plotësisht. Për një vendim të tillë do të nevojitej një përkeqësim drastik i kushteve, që të justifikonte një zgjidhje të jashtëzakonshme të kontratës. Për më tepër, një hap i tillë do të kishte pasoja të rënda ekonomike dhe diplomatike edhe për vetë FIFA-n, duke e bërë këtë skenar tepër të largët.

Në këtë kontekst përmendet edhe marrëdhënia e ngushtë mes presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe Donald Trump, e cilësuar nga shumëkush si një “muaj mjalti” i zgjatur prej vitesh, i forcuar edhe nga iniciativa si çmimi për paqen i FIFA-s. Në mungesë të ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të konsiderohen forcë madhore, aktualisht nuk ka sinjale konkrete që FIFA të rishqyrtojë vendimin për t’ia besuar Shteteve të Bashkuara organizimin e Kupës së Botës 2026.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?