FIFA, Shqipëria humbet 3 pozicione në renditje
Shqipëria zbret me 3 vende nga renditja e FIFA-s edhe pse fitoi në ndeshjen e parë zyrtare eleminatore me Maqedoninë.
Shqipëria gjendej në vendin e 37-të një muaj më parë, por pikët ndaj Maqedonisë, e cila renditet jashtë 100 skuadrave më të mira (146, -8 pozicione këtë muaj), nuk e kanë ndihmuar për të fituar pozicione.
Përkundrazi, duke i përllogaritur edhe humbjen në tavolinë në miqësoren me Luksemburgun për shkak të kartonit të kuq të Kaçes, kuqezinjtë e shohin veten në vendin e 40-të.
Sa u përket skuadrave të tjera të Grupit G të eliminatoreve të Botërorit, ku bën pjesë Shqipëria, Spanja pozicionohet më lart, në vendin e 11-të, por duke zbritur 3 shkallë në krahasim me një muaj më parë.
Italia e ndjek në vendin e 13-të, gjithashtu me 3 vende të humbura brenda muajit të fundit. Izraeli renditet në vendin e 98-të, pasi ka humbur 22 pozicione në këtë muaj, ndërsa Lihtenshtejni është i 182-ti, e vetmja skuadër e grupit që nuk ka lëvizur në krahasim me muajt e mëparshëm.
Ndërkaq, barazimi historik me Finlandën e ka ngjitur Kosovën plot 22 shkallë, nga vendi i 190-të në të 168-in.
Rivalët e saj në Grupin i të kualifikueseve të Botërorit, sigurisht që renditen më lart, pasi ekipi kosovar është përfshirë në këtë klasifikim prej vetëm pak muajsh, duke u pozicionuar fillimisht në fundin e tij.
Ndërsa Finlanda vetëm me barazimin me Kosovën ka humbur 23 vende.
KOHA JONË SONDAZH

