Finalja e Ligës së Europës, flet Gasperini: Krejt Italia do të bëjë tifo për ne
Gian Piero Gasperini është gati të përballet me finalen e parë evropiane në historinë e Atalantës. “Ne mund të jemi vetëm të lumtur me udhëtimin e deritanishëm, shpresojmë ta përfundojmë në mënyrën më të mirë, – janë fjalët e trajnerit bergamask në prag të finales Bundër Bayer Leverkusen. – Kemi ndjenjën se shumë në Itali do të brohorasin për ne, jo vetëm për përfitimin e tyre, por edhe sepse e ndiejmë këtë ngarkesë pas nesh, është një motivim shtesë”.
Paraqitjet e Romës në dy gjysmëfinalet ndaj gjermanëve i dhanë besim edhe trajnerit të piemontezëve: “Roma iu afrua kalimit në finale, ishin dy ndeshje të ekuilibruara, në të cilat sigurisht që bëri mirë”.
Akti final i Ligës së Evropës nuk duket se do t’iu bëjë shumë presion zikaltërve: “Kemi luajtur shumë ndeshje të rëndësishme, qoftë brenda apo jashtë vendit. Ne kemi një histori të mirë të ndeshjeve të rëndësishme, jemi mësuar me to, edhe nëse shpeshherë, kur nuk vjen trofeu, themi se nuk kemi përvojë”.
Mungesa e madhe e mbrëmjes në Dublin do të jetë Marten De Roon, i dëmtuar në finalen e Kupës së Italisë: “Më vjen keq për të, për karrierën e tij dhe për rrugëtimin që ka bërë me ne. Ai nuk është dëmtuar pothuajse asnjëherë kohët e fundit. Megjithatë, Kolasinac dhe Holm janë shëruar dhe gati për ta zëvendësuar”.
Si do të jetë përballë një skuadre që nuk ka humbur asnjëherë në këtë sezon: “Bayer Leverkusen është ekip i fortë, i aftë për të ndryshuar shumë. Ne do të përpiqemi të marrim kundërmasat më të mira, po ashtu kemi aftësinë të propozojmë zgjidhje mbi bazën e të cilave mendojmë se mund t’i krijojmë probleme kundërshtarit”.
Ndeshja është gjithashtu një mundësi për të lënë përfundimisht pas disfatën e një jave më parë në “Olimpico”: “Kemi pasur një ecuri vërtet të mirë, me shumë ndeshje cilësore kundër skuadrave të forta. Kjo na ka dhënë shumë ndërgjegjësim. Sigurisht që ka mbetur shija e hidhur në gojën time e finales së humbur të Kupës së Italisë kundër Juventusit”.
Në konferencë ai foli më pas për rikthimin e një lojtari themelor si Gianluca Scamacca: “Në muajt e fundit ka pasur një evolucion të dukshëm, jo vetëm në aspektin e golave. Në një ndeshje si ajo kundër Juventusit ai do të kishte qenë thelbësor, gjithashtu sepse ne nuk kemi një alternativë të ngjashme në rol. Të gjithë janë gati, Lookman dhe De Ketelaere. Reparti i sulmit është i kompletuar, mund të mendojmë për 90 minuta ose edhe më shumë”.