Flamurtari denoncon në prokurori ndeshjen e humbur me Partizanin
Bordi Drejtues i klubit Flamurtari, siç ishte paralajmëruar një ditë mjë parë nga presidenti Sinan Idrizi është mbledhur sot dhe vendosi të denoncojë takimin e së djelës, që skuadra e tyre humbi 2-1 ndaj Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e 25-të në Kategorinë Superiore. Nëpërmjet një komunikate për shtyp klubi vlonjat bëri të ditur se duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura në takimin Partizani-Flamurtari, ndeshje që u fitua 2-1 nga të kuqtë, dhe duke pasur dyshime të forta se ky takim është trukuar nga disa futbollistë, Bordi Drejtues i Flamurtarit vendosi të denoncojë takimin Partizani-Flamurtari duke i vënë në dispozicion organit të akuzës të gjitha mjetet që klubi disponon, si ato filmike, edhe me analizën teknike të ndeshjes. Në të njëjtën kohë me drejtësinë penale, Flamurtari ka vënë në lëvizje edhe atë sportive duke vënë në dijeni Komisionin e Etikës pranë FSHF për zbardhjen e kësaj çështjeje. Në fund klubi garanton se asnjë individ apo grup individësh nuk mund të hedhin baltë mbi Flamurtarin duke premtuar se kushdo që do të dalë i implikuar në këtë çështje nuk do të ketë mundësi të jetë më pjesë e futbollit shqiptar. Qëndrimi zyrtar i klubit Flamurtari ka vënë në lëvizje organin e akuzës, që nisi hetime edhe për takimin e kaluar dhe të diskutuar ndaj Teutës. Prokuroria e Rrethit Vlorë që në fund të janarit nisi kryesisht hetimet për takimin Flamurtari-Teuta, që përfundoi me fitoren 2-1 të vlonjateve, pas golit të shënuar në sekondat e fundit. Por ndaj të kuqve edhe pse Flamurtari shënoi golin e parë, u ndëshkua në pjesën e dytë me dy gola të Partizanit dhe e humbi ndeshjen. Administratori i Klubit Sinan Idrizi bëri një reagim shumë të ashpër pas ndeshjes, duke premtuar se do të largonte përgjithmonë nga skuadra ato që ai pretendoi se kishin shtiru ndeshjet e fundit. Bëhej fjalë për pesë futbollistë, por pas mbledhjes së sotme nuk ka pasur masa ekstreme, kjo për faktin se klubi kërkon të njihet me hetimet për të mos u nxituar në vendimet që do të merren pas ndeshjeve të fundit.
KOHA JONË SONDAZH

