Flamurtari godet në merkato, firmos me ish-lojtarin e Real Madridit
Flamurtari vijon me ritme të larta përforcimet në prag të sezonit të ri futbollistik, ndërsa ka zyrtarizuar një tjetër goditje të madhe në merkato. Klubi kuqezi ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit spanjoll Jose Rodriguez Martinez, një emër që dikur ka mbajtur veshur fanellën e Real Madrid.
30-vjeçari ka qenë prej kohësh në vëzhgim nga drejtuesit e klubit vlonjat, të cilët kanë udhëtuar deri në Spanjë për të finalizuar marrëveshjen. Rodriguez vjen me një CV të pasur, ku përveç “Los Blancos”, ka qenë pjesë e klubeve të njohura si Deportivo La Coruna, Galatasaray, Mainz, Malaga, si dhe disa skuadrave të tjera në kampionatet më të rëndësishme evropiane.
Lojtari konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për repartin difensiv, duke qenë se mund të luajë si mesfushor shkatërrues (numër 6) dhe mbrojtës qendre, duke i dhënë më shumë fleksibilitet trajnerit të Flamurtarit.
Gjatë qëndrimit në Madrid, Rodriguez ka qenë objektiv i disa klubeve të njohura. Madje, në një moment, ai ka refuzuar një ofertë të Arsenalit, ndërkohë që ka gëzuar marrëdhënie shumë të mira me ish-trajnerin Jose Mourinho.
Aktualisht, Rodriguez vjen si një lojtar me eksperiencë ndërkombëtare, i cili ka përfaqësuar edhe ekipet zinxhir të kombëtares spanjolle, ndonëse nuk ka debutuar me përfaqësuesen A. Me këtë lëvizje, Flamurtari tregon ambiciet serioze për të ndërtuar një skuadër konkurruese në sezonin që vjen.
KOHA JONË SONDAZH

