Flamurtari i rrëmben një pikë në “frymën e fundit” Tiranës
Flamurtari dhe Tirana kanë ndarë nga një pikë në përballjen e javës së 30-të në Kategorinë Superiore, në një duel të luftuar deri në sekondat e fundit dhe me peshë të madhe për mbijetesën.
Takimi nisi me ritëm të lartë për bardheblutë, që kaluan në avantazh që në minutën e 3-të. Ishte Tabeku ai që përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes vendase, duke dalë i vetëm përballë portierit dhe duke finalizuar saktë për 0-1.
Flamurtari reagoi menjëherë duke kërkuar të rikthehej në lojë, por përpjekjet e pjesës së parë u karakterizuan nga mungesa e saktësisë në fazën përfundimtare. Pavarësisht presionit, pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Tiranës.
Në fraksionin e dytë, skuadra vlonjate rriti ndjeshëm intensitetin, duke dominuar lojën dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme përpara portës kundërshtare. Megjithatë, goli i shumëkërkuar erdhi vetëm në minutat shtesë.
Në minutën e 93-të, Maksuti fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje në zonë. Sulmuesi mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat në 1-1 dhe duke shpërthyer festën në radhët e vendasve.
Me këtë rezultat, Tirana ngjitet në vendin e tetë me 28 pikë, ndërsa Flamurtari mbetet në fund të renditjes me 25 pikë, duke vijuar betejën e vështirë për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

