Flick: Lewandowski meriton “Topin e Artë”, rivalët janë pak mbrapa tij!

Trajneri i Bayern Munich, Hansi Flick, mendon se futbollisti i ekipit të tij Robert Lewandowski mund ta fitojë “Topin e Artë”, pasi e mbylli sezonin e tij kombëtar me 51 gola.

Deri më tani polaku ka fituar titullin kampion të Bundesligës dhe Kupën e Gjermanisë me bavarezët, në sezonin aktual, ndërsa vijon të synojë edhe Champions-in.

Bomberi polak shënoi dy herë në finalen e mbrëmshme, ku ekipi i tij fitoi 4-2 ndaj Bayer Leverkusen. Polaku ka shënuar 11 gola në Champions, këtë edicion, teksa kompeticioni në fjalë përgatitet të kthehet muajin tjetër me sfidat e fundit të kthimit të 1/8 finale dhe pastaj çerekfinaleve në vijim.

“51 gola janë një arritje fantastike për çdo sulmues në botë. Të dy golat e Lewandowski-t në finalen e Kupës së Gjermanisë ishin të shkëlqyer. Mënyra se si ai e merr topin dhe se si shënon është unike. Sigurisht, ka pasur edhe pak fat, por ka shumë besim në cilësitë e tij.

Nëse ka shënuar 34 gola në Bundesligë këtë sezon, atëherë mund të mendoni se një lojtar nga kampionati ynë mund të bëhet fituesi i ‘Topit të Artë’. Rivalët e tij janë jo pak mbrapa në këtë drejtim. Ai i ka hedhur të gjitha themelet me arritjet e këtij viti, ndaj do ta meritonte çmimin prestigjioz”, deklaroi Flick.

SHKARKO APP