Flick tregon “recetën” si mundet PSG: I vëmë nën presion, janë si Barcelona!
Gjithçka gati në shtëpinë e Bayernit për finalen e Champions League. Hans-Dieter Flick e ka gati recetën për të mundur PSG: “Janë një ekip i madh dhe kanë futbollistë të shpejtë, do të kërkojmë që të organizojmë sa më mirë mbrojtje. E dimë që forca jonë është që t’i vendosim nën presion kundërshtarët”.
Klubi bavarez pas fitores 8-2 kundër Barcelonës, janë favorit në finalen e madhe të Championsit, por kjo nuk e vë strategun nën presion.
“Përpiqemi që të imponojmë stilin tonë ndaj kundërshtarëve. Kemi marrë rezultate dhe nesër do të përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë. Nuk do të ndikojë shumë te ne që është finale, por duhet të jemi të vëmendshëm që të lejojmë pak hapësira. I kemi parë të gjithë ndeshjet e tyre dhe i dimë kualitetet, janë shumë të ngjashëm me Barcelonën. Lyon ndërkohë ishte një ekip me një stil ndryshe”, deklaroi Flick. /R.Lika-Koha Jone/